Disa profesorë në UP janë paguar pa i mbajtur orët dhe pa kontrata

Aktuale

Disa profesorë në UP janë paguar pa i mbajtur orët dhe pa kontrata

Më: 9 mars 2018 Në ora: 16:56
Komisioni për Mbikëqyrje Financiare

Komisioni për Mbikëqyrje Financiare sot ka shqyrtuar raportin e auditorit për vitin 2016 për Universitetin e Prishtinës, raport i cili ka gjetur disa mangësi në sektorin financiar, përkatësisht për pagat e profesorëve dhe për mjetet e paguara gabimisht.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së Andin Hoti ka thënë se shpenzimet prej 296 mijë euro janë evidentuar si të paguara gabimisht.

Deputeti Hoti ka thënë se kontrollet mbi një sërë fushash të shpenzimeve përfshirë pagat dhe shpenzimet përmes prokurimit kanë nevojë për përmirësim.

 Po ashtu sipas tij, e gjetur tjetër ishte edhe planifikimi dhe realizimi i buxhetit dhe angazhimi i profesorëve në kundërshtim me rregulloret. Po ashtu ndër mangësitë tjera sipas Hotit, ishin edhe mungesat e dëshmive për orët e mbajtura nga profesorët  dhe kompensimi i tyre pa kontratë.

Hoti: 296 mijë euro ishin buxhetuar dhe paguar gabimisht

“Të gjeturat kryesore në pasqyrat financiare vjetore  janë; shpenzime në vlerë prej 296 mijë euro ishin buxhetuar dhe paguar gabimisht në kategoritë jo adekuate, dy pagesa në vlerë të përbashkët 229 mijë, të cilat sipas natyrës i përkasin mallrave dhe shërbimeve, ishin buxhetuar dhe paguar gabimisht nga investimet kapitale. Ndërsa pagesa e dytë, në vlerë të përbashkët 67 mijë e 370 euro të cilat i përkasin investimeve kapitale ishin buxhetuar dhe paguar gabimisht nga mallrat dhe shërbimet”, ka thënë Hoti.

Po ashtu sipas Hotit ka pasur edhe planifikim jo të mirë të prokurimit.

Anëtari i Komisionit nga radhët e AAK-së Muharrem Nitaj  ka thënë se mbeten shqetësuese pagesat për profesorë. Disa prej profesorëve ,sipas tij, kanë realizuar paga me mijëra euro. Ai ka thënë se disa profesorë “të fuqishëm” kanë marr paga enorme dhe ka pyetur rektorin Dema se a vazhdojnë të marrin ende paga me mijëra euro.

Nitaj: Disa profesor të fuqishëm kanë realizuar paga enerome, a ndodhë ende?

“Një tjetër shqetësim janë pagesat për profesorët, ju e dini se në Universitetin e Prishtinës ka qenë sekret publik që disa prej profesorëve kanë realizuar të ardhura apo paga enorme në raport me zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Ka pasur profesor që kanë marrë nga disa mijëra euro, duke ju mundësuar që ta kenë normën e plotë 6 orë plus dhe për të gjitha këto janë paguar këtu dhe angazhimin e tyre në mentorimin e temave të diplomave të niveleve të ndryshme të studimeve. Andaj, më intereson të di sa keni arrit të vendosni një kontroll që disa prej njerëzve të fuqishëm në UP të mos paguhen me paga enorme?”, ishte pyetja e deputetit  Nitaj.

Rektori Marjan Dema ka thënë se shqetësimet e Muharrem Nitajt janë me vend, por me disa norma dhe standarde të krijuara prej se ka ardhur ai, atyre profesorëve ‘të fuqishëm ‘ uu janë ndaluar këto paga të larta.   

Dema: Prej se kam ardhur unë janë krijuar standarde edhe për pagat e profesorëve

“Prej ardhjes së këtij menaxhmenti(aktual) janë krijuar standarde dhe janë respejktuar 100 përqind, sa i përket menaxhmentit qendrorë 100 përqind dhe e them me përgjegjësi se nuk ka si të kaloj dikush pa i plotësuar standarde, sepse jemi shumë transparent dhe i kemi plotësuar rregulloret për gjithçka. Aty ku nuk kemi rregullore, ngase ende nuk i kemi plotësuar dy vjet(menaxhim), kam marr vendim personal mbi bazën e ligjit se nuk guxon asnjë profesor të merr rrogë mbi 150 përqind, 100 përqind është rroga, me ligj është e precizuar 50 përqind(shtesë)”, ka thënë Dema.

Rektori i UP-së ka thënë se janë shumë të interesuar të jenë transparent në këtë proces të auditimit.

Ai ka treguar se menaxhimin e UP-së e kanë prej 1 prill të vitit 2016, dhe janë në përpjekje që të gjitha mangësitë e këtij raporti t’i përmirësojnë.

Dema ka thënë se pajtohet me të gjetura dhe rekomandimet, mirëpo, thotë e disa prej këtyre të gjeturave janë trashëguar nga një staf jo profesional.

Ai ka siguruar në UP nuk bëhet ndonjë gabim me qëllim.  Zyrtarë të UP-së pohuan se ky universitet publik ka rreth 500 mijë euro borxhe të njohura me gjykatë për profesorët e larguar nga ish rektori.

Valbon Bytyqi nga Zyra e Auditorit Kombëtar ka thënë se ndër mangësitë e gjetura në UP ka pasur tek pagat dhe mëditjet dhe mos pjesëmarrja e profesorëve në ligjërata. Ai tha se kanë adresuar 17 rekomandime për raportin e vitit 2016 në UP.

Komisioni ka pasur në rend të ditës edhe shqyrtimin e raportit të auditorit për Ministrinë e Arsimit, por ministri Shyqiri Bytyqi nuk i është  përgjigjur ftesës për raportim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat