Haradinaj më në fund premton arsim cilësor dhe të pavarur

Aktuale

Haradinaj më në fund premton arsim cilësor dhe të pavarur

Më: 9 mars 2018 Në ora: 16:46
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marr pjesë sot në shënimin e 5 vjetorit të themelimit të Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ku premtoi përkrahjen e parezervë për institucionet e arsimit të lartë.

Kryeministri Haradinaj e quajti moment të veçantë themelimin e Universitetit “Kadri Zeka”, duke thënë se edhe si shoqëri janë në nisje.

“Pesë vjet Universitet, 10 vjet shtet Kosova. Shtetbërja jonë i ka sfidat dhe vështirësitë e veta, ndoshta edhe defektet e veta, por është vendim i drejtë, jemi në rrugë të drejtë dhe do të vazhdojmë ndërtimin e shtetit tonë. Duke e ndërtuar Kosovën ndihmojmë vetveten, përcaktimin tonë, njerëzit e këtij nën qielli të cilët jetojnë në Kosovë, por njëkohësisht ndihmojmë bashkëvendësit tanë kudo që janë”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj përmendi sfidat me të cilat po përballet Kosova me rikonceptimin e standardeve të mësimdhënies, duke thënë se goditja që erdhi nga Regjistri Evropian për Sigurinë e Cilësisë në Arsimin e Lartë është më shumë pasojë e moskomunikimit dhe shtrembërimit të fakteve dhe njëkohësisht përpjekje për përfitime të vogla.

“Ne do të jemi bashkë që ta riparojmë këtë, ngase e dimë rëndësinë e kësaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi tha se rruga e këtij universiteti ka qenë e suksesshme përgjatë 5 vjetëve. Ai tha se Universiteti “Kadri Zeka”, synon ta ndërlidh fushën e veprimit me universitetet ndërkombëtare.

Në këtë ngjarje, ku të pranishëm ishin edhe menaxhmenti i Universitetit “Kadri Zeka”, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për rëndësinë e pazëvendësueshme të institucioneve të arsimit të lartë publik, të cilat janë ofruar te studentët.

Kryeministrit Haradinaj me këtë rast iu nda mirënjohje për kontributin e tij në ngritjen e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat