Sigurohen votat për Demarkacionin, seanca e jashtëzakonshme sot ose nesër?

Aktuale

Sigurohen votat për Demarkacionin, seanca e jashtëzakonshme sot ose nesër?

Më: 9 mars 2018 Në ora: 14:50
Kuvendi i Kosovës

Koalicioni qeverisës ka arritur që të sigurojë votat e mjaftushme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i mirëinformuar brenda qeverisë. Sipas këtij burimi, Kuvendi i Kosovës pritet që të thërret seancë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes së sontme ose gjatë ditës së nesëmre, për të ratifikuar këtë marrëveshje.

“Tashmë koalicioni qeverisës i ka të sigurta votat për ratifikimin e demarkacionit. Krerët shtetëror kanë marrë konfirmim edhe nga pesë deputetë tjerë se do të mbështesin këtë marrëveshje. Prej tyre, dy janë nga Lista Serbe, dy nga partitë shqiptare dhe një nga Partia Liberale, (SLS) Sllobodan Petroviç”, tha ky burim, i cili theksoi se votat e deptuetëve nga Lista Serbe nuk janë siguruar në marrëveshje me partinë, por në mënyrë individuale me deputetë.

Kjo pasi që Lista Serbe ka kushtëzuar votimin e demarkacionit me Trepçën, duke kërkuar që Serbia të bëhet hisedare në të.

Ndryshe, vet kreu i Kuvendit Kadri Veseli në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë, ku u caktuan tri seanca për javën e ardhshme, u shpreh se synojnë që sa më shpejt ta përfundojnë seancën në të cilën do të jetë Demarkacioni me Malin e Zi.

Ai tha se pret reflektim edhe nga opozita, duke vlerësuar se ka shenja të mira dhe beson se do të arrihet shpejt konsensusi.
“Është në të mirën e shtetit dhe besoj shpejt do të kemi vendimmarrje. Seanca po vonohet se po duhet konsensusi – na duhen edhe disa vota. Vetëm edhe një reflektim më qytetar i një pjese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kishim shku në seancë”, është shprehur Veseli.

Në anën tjetër anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s Bilall Sherifi, bëri të ditur se mungojnë dy apo tri vota, që të sigurohen 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, që marrëveshja të kalojë.

Projektligjit i është bashkëngjitur deklarata e dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe raporti i Komisionit Bulliqi. Mirëpo ky i fundit është lënë vetëm si raport informues.

Me Kushtetutë, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon së paku 80 vota.

Bashkimi Evropian e ka vënë si kusht ratifikimin e demarkacionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat