Mazrekaj: Sipas Hashim Thaçit, Haradinaj qëndron prapa atentatit ndaj gazetës “Bota sot”, në vitin 2002 në Cyrih të Zvicrës

Aktuale

Mazrekaj: Sipas Hashim Thaçit, Haradinaj qëndron prapa atentatit ndaj gazetës “Bota sot”, në vitin 2002 në Cyrih të Zvicrës

Nga: Bota sot Më: 9 mars 2018 Në ora: 13:31
Botuesi i gazetës "Bota sot", Xhevdet Mazrekaj (majtas) dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi (djathtas)

Po mbushen një vit që nga arrestimi i Jeton Lleshit nga Policia Federale Zvicerane, për dërgimin e granatës ruse, në redaksinë e gazetës kombëtare “Bota sot”, në Cyrih të Zvicrës. Vitin e kaluar, Gjykata e Konfederatës së Zvicrës në qytetin Bellinzona, dënoi me 10 vite burg Jeton Lleshin, i cili më 27 shtator të vitit 2002, kishte dërguar në adresë të gazetës “Bota sot” një paketim bombë, shpërthimi i së cilës kishte rrezikuar të merrte jetën e së paku 20 personave të pranishëm në redaksi të gazetës.

Pikërisht vitin e kaluar, pak pasi Policia Federale Zvicerane kishte arrestuar Jeton Lleshin, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte kërkuar takim me pronarin e gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj. Rastësi apo e qëllimshme, mbetet ta dëshmojë koha. 

Mazrekaj ka thënë se kishte pranuar takimin me Thaçin, aq më shumë kur ishte në dijeni që i dyshuari Jeton Lleshi (tani i burgosur), ishte arrestuar dhe nga hetimet e mëtejme ishte identifikuar si njeriu që kishte sulmuar me bombë gazetën “Bota sot”, në Cyrih të Zvicrës. Mazrekaj, për shkak të hetimeve nuk mund ta bënte publike arrestimin e Lleshit në atë periudhë kohore. Për shkak të hetimeve nuk kishte të drejtë të fliste me askënd për këtë çështje.  

Nikoqirët e takimit kishin diskutuar për çështje të ndryshme, veçanërisht mbi zhvillimet politike në Kosovë.

Meqë gazeta “Bota sot” ishte media më e sulmuar gjatë viteve të para të pas luftës dhe tashmë Mazrekaj e dinte se Jeton Lleshi ndodhej në duart e Policisë zvicerane, ai kishte shfrytëzuar këtë takim për ta pyetur Presidentin rreth sulmit me bombë ndaj gazetës “Bota sot”, 27 shtatorin e vitit 2002 në Cyrih të Zvicrës.

Në bisedë e sipër pronari i gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, kishte pyetur Presidentin Thaçi, nëse ishte në dijeni se kush qëndron prapa sulmit në fjalë.

Sipas Mazrekajt, pyetja që i kishte parashtruar Thaçit, ishte e drejtpërdrejt: A qëndron SHIK-u prapa sulmit ndaj gazetës “Bota sot” apo grupi i Dukagjinit?.

Dyshimet dhe kjo pyetje kishin ardhur natyrshëm, pasi dihet se Gazeta “Bota sot” kishte shkruar vazhdimisht rreth të bëmave të ish Organizatës Shërbimi Informativ i Kosovës. Në anën tjetër, gazetari i gazetës “Bota sot”, me pseudonimin Artur Seiti, në atë kohë kishte shkruar edhe mbi të bëmat e grupit të Dukagjinit dhe se si ky grup qëndronte pas vrasjes së ushtarëve të Kolonel Tahir Zemajt.

Kujtojmë se pseudonimin Artur Seiti, e mbante gazetari i vrarë në vitin 2005, Bardhyl Ajeti. Bardhyli shkruante me pseudonim pasi kjo e drejtë i njihej ligjërisht, për shkak të ndjeshmërisë së temave që trajtonte.

Deri pas arrestimit të Jeton Lleshit, dyshimet dhe hetimet për sulmet e vazhdueshme ndaj gazetës “Bota sot”, shkonin në drejtim të SHIK-ut.

Image
Jeton Lleshi (majtas) terroristi që dërgoi granatën ruse në redaksinë e gazetës "Bota sot" duke shtrënguar duart me kryetarin e AAK-së, tani kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj (djathtas)

Por, arrestimi i Jeton Lleshit kishte ngritur një pistë tjetër dyshimesh, që nuk ishte menduar më herët.

I dënuari me 10 vite burg për sulmin ndaj gazetës “Bota sot”, Jeton Lleshi, në shumë fotografi e paraqitje publike, prezantohej me shenjen identifikuese të AAK-së. Po ashtu, në këto fotografi shihet si njeri i afërt me figura të rëndësishme të kësaj partie.

Pyetjes së Mazrekajt, se a qëndronte SHIK-u prapa sulmit apo Grupi i Dukagjinit, Presidenti Hashim Thaçi, i ishte përgjigjur kështu: Motivi më i madh ishte i Ramushit, për arsye se në atë kohë, 2 muaj para atentatit ndaj gazetës “Bota sot”, Grupi i Dukagjinit ishin burgosur si të akuzuar për vrasjen e 4 ushtarëve të Tahir Zmeajt.

Pyetja pasuese e pronarit të gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, ishte nëse Thaçi ishte i sigurt në atë që po fliste, derisa ky i fundit i ishte përgjigjur:

”Xhevdet a i sheh këto bjeshkë në Zvicër, aq sa luan bjeshka, aq luan fjala ime”, tregon Mazrekaj t`i ketë thënë Presidenti Thaçi në mars të vitit të kaluar gjatë një takimi në Zvicër.

Ndryshe, gazeta “Bota sot” edhe para sulmit me bombë ishte sulmuar e kërcënuar në vazhdimësi. Madje, figura të larta publike që sot janë në poste politike, kishin thirrur kërcënuar pronarin me mbyllje të gazetës apo heqje nga puna të redaktorëve të gazetës.

Gazetës “Bota sot” i janë vrarë 4 gazetarë e bashkëpunëtorë gjatë viteve të para të pasluftës, derisa ende nuk dihet se kush janë vrasësit e as urdhërdhënësit e vrasjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat