Ky është vendimi për Fatmir Limajn në rastin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit

Aktuale

Ky është vendimi për Fatmir Limajn në rastin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit

Më: 9 mars 2018 Në ora: 07:19

(E plotësuar) - Fatmir Limaj e ka fituar edhe një betejë gjyqësore. Ai sot është shpallur i pafajshëm në lidhje me akuzat që ngarkoheshin për krime lufte.

Gjykata  Themelore e Gjakovës ka shpallur vendimin me të cilin Limaj lirohet nga të gjitha akuzat që i ngarkoheshin në rastin  e quajtur “Bellanica”, ku gjatë kohës së luftës ishin vrarë dy civilë shqiptarë, Selman Binishi dhe Ramiz Hoxha.

Në aktgjykimin e Gjykatës, thuhet se me asnjë provë Prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë personat që kanë kryer vrasjen pasi kanë qenë të maskuar.

Kjo sipas aktgjykimi, ka pamundësuar edhe identifikimin e atyre personave nëse ishin pjesëtar të UÇK-së dhe nëse ishin nën komandën e Fatmir Limajt, i cili ishte komandant i Brigadës 121 të UCK-së.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, duke lexuar shpalljen tha se pas analizës së bërë ka ardhur në përfundim se ndaj të akuzuarit Fatmir Limaj nuk ka elemente të veprës penale me të cilin akuzohet nga ana e prokurorisë. Ai ka përmendur tri elemente që duhet të plotësohen për të ekzistuar përgjegjësia komanduese.

Komani: Për të pasur përgjegjësi komanduese duhet të jenë tri elemente

“Për të ekzistuar përgjegjësia komanduese duhet të plotësohen tri elemente. Ekzistimi i lidhjes eprorë-vartës, i dyti, eprori duhet ta dinte ose kishte arsye ta dinte se veprimi kriminal ishte në prag të kryerjes ose ishte kryer dhe eprori nuk ka marrë masa të nevojshme për parandalimin e veprimit kriminal. Në rastin konkret nga provat e administruara gjatë shqyrtimit kryesor nuk është arritur që të vërtetohet asnjëra nga këto tri elemente, e kjo për faktin se fillimisht nuk është vërtetuar se kush ishin kryerësit të cilët i kishin privuar nga jeta të ndjerët Selman Binishi dhe Ramiz Hoxha, pasi të njëjtit kanë qenë të maskuar”, tha Komani.

Gjatë shqyrtimit kryesor por edhe në fjalën përfundimtare edhe vet prokurorja e rastit e ka pranuar se katër personat që kanë kryer vrasjen dihet se kush ishin.

Komani: Prokuroria e pranoi se nuk ka arritur t’i identifikojë kryerësit e vrasjes

“E fakti që kryerësit kanë qenë të panjohur dhe të paidentifikuar e ka theksuar Prokuroria si në aktakuzë ashtu edhe gjatë fjalës përfundimtare. Andaj bazuar në këto nuk është arritur që këta persona të maskuar dhe të paidentifikuar të vërtetohen se fillimisht a ishin pjesëtarë të UÇK-së apo kush ishin ata persona, nëse ishin pjesëtarë të UÇK-së cilës brigadë i përkisnin ata persona dhe nën komandën e kujt ishin ata. Gjykata me asnjë provë nuk mundet të vërtetojë se i akuzuari ka pasur raport epror vartës me këta persona të maskuar, nuk ka arritur të vërtetojë së i akuzuari ka qenë në dijeni se persona të maskuar ishin duke përgatitur aktin kriminal si dhe duke qenë se ata ishin të paidentifikuar nuk ka arritur të vërtetohet se ka pasur kontakt me ata persona dhe t’i paraqesë për ndëshkim”, theksoi Komani.

 Sipas këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara udhëzohen në kontest civil, ndërsa, palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi në shkallën me të lartë.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale në vitin 2016 rasti ka të bëj me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 2 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari të Malishevës.

Aktakuza e ngarkonte Fatmir Limajn se, si pjesëtar i UÇK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas aktakuzës, Limaj , i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

***

Gjykata Themelore e Gjakovës ka marrë vendim për lirimin nga akuza Fatmir Limajn, i cili akuzohej për rastin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Limaj akuzohet nga prokuroria se si komandant  i Brigadës 121 të UÇK-së, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar, apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

“Kryerësit kanë qenë me masa dhe të paidentifikuar nuk është arritur të vërtetohet se kanë qenë pjesëtar të UÇK’së andaj gjykata nuk ka arrit të vërtetoj se i akuzuari Limaj ka pas lidhje apo kontakt me ata persona”, ka thënë gjyqtari.

Kundër këtij vendimi palët kanë drejt të ankohen brenda 15 dite.

***************

Gjykata Themelore e Gjakovës, sot do të shpallë vendimin ndaj Fatmir Limajt, i akuzuar për rastin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Limaj akuzohet nga prokuroria se si komandant  i Brigadës 121 të UÇK-së, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar, apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Në seancën e fundit gjyqësore, Limaj ka deklaruar se është i pafajshëm në lidhje me akuzat, duke u shprehur se ka qenë i bindur në pafajësi që nga fillimi.

“Që nga fillimi kam qenë i bindur në pafajësi, pasi nuk kishte prova, por jam i bindur që edhe vetë prokuroria e ka ditur që nuk ka prova. Edhe nëse në shqyrtimin gjyqësor nuk kanë arritur të gjenden kryesit e veprës, dhe urdhërdhënësi, konsideroj se për familjet e dëmtuara ka qenë satisfakcion, për faktin që është vërtetuar se tendenca për t’i njollosur ka qenë e pasuksesshme”, ka thënë Limaj.

Aktgjykimi do të shpallet në ora 09:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat