Ekskluzive: Shkëlqim Pajazitaj tregon se si ju vra e motra

Aktuale

Ekskluzive: Shkëlqim Pajazitaj tregon se si ju vra e motra

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 8 mars 2018 Në ora: 08:06
Shkëlqim dhe Donjeta Pajazitaj dhe i akuzuari për vrasjen, Naser Pajazitaj

‘’Në video shihet se ai e ka marrë të ndjerën në veturë, kur e ka marrë ai në veturë pse nuk shkoj pra ajo në punë? me pas marrë e me lështu tek vendi i punës, ajo kishte shkuar në punë.  Kur ajo ka hyp në veturë se ajo në besë ka qenë aty sepse jemi familje, vllazni ashtu siç jemi por pastaj çfarë ka ndodhë vetëm Zoti e din. Nëse e kishte marrë dhe me lënë tek autobusi ajo kishte shkuar drejt e në punë’’, thotë i riu.

Fillimisht u raportua si e zhdukur. E pas gjashtë javësh së kërkuari në bjeshkët e Strellcit , në vitin 2015 ishte gjetur trupi i pa jetë i Donjeta Pajazitaj.

24-vjeçarja u gjet me dy plumba në kokë, derisa i dyshuari kryesor për këtë vrasje ishte Naser Pajazitaj.

Vendimi

Pas dy vitesh, Naser Pajaziti u shpall fajtor, por jo për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Gjykata Themelore në Pejë ia shqiptoi dënimin dy vjet e 4 muaj vetëm për armëmbajtje pa leje. Këtë dënim, i gjykuari tashmë veçse e kishte kryer sa ishte në paraburgim.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj në veturën e N.P është gjetur vetëm një fije floku e që në analizat e ADN-së ka rezultuar që nuk është i të ndjerës.

Vendimit të gjykatës nuk i besoi fare familja e 24 vjeçares që ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit e qëlluar me dy plumba në kokë.

Image
Shkëlqim dhe Donjeta Pajazitaj

Shkëlqim Pajazitaj: Drejtësia shihet, të gjithë janë të korruptuar

Shkelqim Pajazitaj, vëllai i të ndjerës në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ , shprehet se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i korruptuar.

‘’Drejtësia nuk ka punuar asgjë fare. Nuk e di pse që dy vjet ky proces është kështu dhe në fund është marrë një vendim i tillë, nuk e di pse. Drejtësia shihet, të gjithë janë të korruptuar’’ tha Pajazitaj.

Tutje, Shkelqimi rrëfen se sipas fakteve që i posedojnë, shihet që Donjeta ka hyrë në veturën e Naser Pajazitajt. Sipas tij, nëse N.P do ta kishte lënë të ndjerën tek stacioni i autobusit, beson që Donjeta do të kishte shkuar në punë.

‘’Në video shihet se ai e ka marrë të ndjerën në veturë, kur e ka marrë ai në veturë pse nuk shkoj pra ajo në punë? me pas marrë e me lështu tek vendi i punës, ajo kishte shkuar në punë.  Kur ajo ka hyp në veturë se ajo në besë ka qenë aty sepse jemi familje, vllazni ashtu siç jemi por pastaj çfarë ka ndodhë vetëm Zoti e din. Nëse e kishte marrë dhe me lënë tek autobusi ajo kishte shkuar drejt e në punë’’, thotë i riu.

Në rrëfim e sipër, Pajazitaj shprehet se faktet që i posedojnë janë të mjaftueshme sa për ta dëshmuar se N.P është fajtori për këtë rast.

‘’Fakti tjetër që e kemi është se kur ka dëshmuar Naser Pajaziti në polici ka thënë se në ato momente ka qenë me vajzën e tij. Vajza e tij ka thënë se nuk është e vërtetë sepse atë ditë nuk ka dalë nga shtëpia as asgjë. Këto dy fakte i kemi që na bindin se ai është fajtori. Por, po shihet se drejtësia është e korruptuar vetëm këto dy fakte me i procedu edhe ishte gjetë fajtori’’, ka thënë ai.

Shkëlqimi: Do të ankohemi në shkallën e dytë

Megjithëse është dhënë vendimi përfundimtar për rastin e Donjeta Pajazitaj, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, nuk ishte e pranishme në seancën ku u dha vendimi përfundimtar dhe kjo është e papranueshme për familjen Pajazitaj.

Vëllai i të ndjerës thotë se nuk do të dorëzohen. Ata do të bëjnë ankesë të shkallës së dytë e cila sipas ligjit bëhet pas 15 ditësh.

‘’Ne kemi të drejtë të bëjmë ankese të shkallës së dytë të cilën kemi të drejtë ta bëjmë pas 15 ditësh’’, përfundon Shkelqim Pajazitaj.

Për këtë rast, ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës. Kryetarja Igballe Rogova, për gazetën ‘’Bota sot’’, thotë se presin që organet e drejtësisë të reflektojnë për këtë rast.

‘’Presim që të gjinden provat dhe nuk lejojmë të kalojë një vrasje e një vajze e një gruaje në këtë rast me arsyetimin se nuk ka prova’’, përfundon Rogova.

Ky gjykim nuk e zbardhi rastin se kush ka qenë dorasi i vërtetë i vrasjes së vajzës së re nga Strellci i Deçanit.  Për këtë rast janë shfrytëzuar edhe ekspertizat e FBI që janë kryer në Truqi e SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat