Porosia e Merkel për politikanët e Kosovës mbetet sekrete

Aktuale

Porosia e Merkel për politikanët e Kosovës mbetet sekrete

Më: 7 mars 2018 Në ora: 17:16
Angela Merkel dhe Jan Hecker

Gjermania si njëri nga shtetet që ka pasur rol të veçantë në shtetndërtimin e Kosovës, çoi së fundmi një zyrtar të rëndësishëm të saj për vizitë në shtetin kosovar. Këshilltari për politikë të jashtme i kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker, qëndroi për një vizitë një ditore për të takuar politikanët e Kosovës. Media ka pyetur Ambasadën Gjermane rreth bisedave të Hecker me zyrtarët kosovarë, por ata nuk kanë dhënë detaje.

Ambasada gjermane në Kosovë  nuk e ka komentuar vizitën e njeriut më të besueshëm të Kancelares gjermane, Angela Merkel, këshilltari të saj të parë, Jan Hecker.

Hecker ka ardhur për vizitë në Prishtinë disa ditë pasi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq qëndroi në Berlin e ku Kosova ishte një nga temat kryesore.

Në një përgjigje të shkurtër, kjo ambasadë ka thënë se nuk i komenton përmbajtjet e diskutimeve në mes të zyrtarëve.

“Ju faleminderit për pyetjet e parashtruara. Nuk deklarohemi rreth përmbajtjeve të bisedave”, është shprehur ambasada gjermane.

Megjithatë, media kishte mësuar se Këshilltari i Merkelit, u kishte bërë thirrje politikanëve të Kosovës që ta ratifikojnë sa më shpejtë Demarkacionin me Malin e Zi.

Fillimisht, në vizitën e tij, Heckeri e kishte takuar zv/kryeministrin, Enver Hoxhaj kurse më pas ishte takuar edhe me Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministrin Ramush Haradinaj, zv.kryeministrin Behgjet Pacolli, dhe dy zyrtarët e LDK’së, Avdullah Hotin e Vjosa Osmani.

Por ky zyrtar i lartë nuk ka takuar Presidentin Thaçi e as zyrtarët e Vetëvendosjes ose së paku nuk janë raportuar takime ndërmjet tyre.

Asnjë nga këta zyrtarë kosovarë, në njoftim e tyre për media ose në rrjete sociale, kur kanë shkruar për takimin me këshilltarin e Merkelit, nuk e kanë përmendur nëse e kanë diskutuar temën e Demarkacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat