Si u ther me thikë profesori në Pejë vetëm pse i dha vërejtje nxënësit

Aktuale

Si u ther me thikë profesori në Pejë vetëm pse i dha vërejtje nxënësit

Më: 6 mars 2018 Në ora: 19:54
Shkolla e mesme teknike

Një vërejtje me shkrim dhënë nxënësit të tij, profesorit të matematikës, Begatim Bytyçit i kushtoi me goditje e therje me thikë, para objektit të shkollës ku punon. Mësimdhënësi nga Peja për një kohë nuk do të mund ta kapë ditarin për të dhënë mësim. Nxënësi i tij, Ermelind Haradinaj 17-vjeç, që e sulmoi me thikë aktualisht ndodhet prapa grilave.

I mituri nuk u pajtua me vërejtjen që profesori ia kishte dhënë në ditar. Me të përfunduar orari mësimor i kishte dalur në pritë, “takim” ky i cili përfundoi me therje.

Begatim Bytyçi mësimdhënës i lëndës së matematikës në shkollën teknike “Shaban Spahija” në Pejë, me të përfunduar orarin mësimor u ther me thikë nga nxënësi i tij, Ermelind Haradinaj, ditën e martë. Besohet se ky incident erdhi pasi ky nxënës pengoi orën mësimore dhe i njëjti refuzoi të largohej nga ora.

Mediumi ka kontaktuar me profesorin, Begatim Bytyçin por i njejti tha se nuk dëshiron të prononcohet pasi sipas tij i ka thënë të gjitha në Policinë e Kosovës.

“Nuk kam çka mu prononcu, i kam spjegu të gjitha në polici”, tha shkurtë Bytyçi.

Por i njejti tha se nxënësi E.H ka penguar orët mesimore, nxnënësit dhe profesorët.

“ U kan problem gjith e ka pengu orën gjeste që nuk bahen në orë, folë fjalë palidhje, i nguc nxanësat e ofendon edhe profesorin”, tha mësimdhënësi duke refuzuar të jap më shumë detaje për incidentin me thikë që ndodhi ditën e djeshme.

Gazeta Express ka vizituar shkollën teknike “Shaban Spahija” në Pejë. Zyrtarja administrative e kësaj shkolle, Teuta Bilalli ka dhënë detaje për këtë rast duke thënë se nxënësi ka pritur mësimdhënësin dhe me të përfunduar orari i shkollës e ka goditur e më pas edhe e ka therur me thikë në këmbë. Ajo, Erlindin e përshkruan si nxënës të padisiplinuar.

“Pse ja ka dhënë vërejtjen i ka dalë para shkollës e ka rre dhe i ka mëshu thikë në këmbë”, tha Bilalli.

“Ja ka shënu vërejtje ka dashtë me largu prej orës, ai nuk është largu. E ka shënu në vërejtje atë edhe një tjetër por cka ka pas përleshje mes veti nuk e di. Se nxënësit po thojnë ka pas përleshje profesori me nxënësin. Në ditar e ka shënu profesori në vërejtje që nuk është largu prej shkollës. Se ai është nxënës i padisiplinuar, edhe nuk ka leju me mbajt procesin mësimor edhe mësimdhënësi ka drejt me ja jap vërejtjen”, vazhdon tutje rrëfimin.

Mësohet se Ermelind Haradinaj ka përsëritur vitin dhe pasi ishte përjashtuar nga kjo shkollë ishte rikthyer por në një drejtim tjetër.

Zyrtari në zyrën për informin në Policinë e Pejës, Driton Rugova tha se i mituri është arrestuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit.

“ I dyshimti i mitur eshte arrestuar nga sektori i hetimeve diten e njejte 05.03.2018 dhe i njejti pasi eshte intervistuar ne prezencen e prindit dhe avokatit, me urdher te prokurorit te  shtetit eshte ndaluar ne ndalim policor”, tha Rugova.

Ndërsa, profesori Begatim Bytyçi ka pranuar trajtim mjekësor, ai aktualisht është në gjendje të mirë dhe javën e ardhshme pritët të vazhdojë punën në shkollë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat