Junker: S’mund t’u jap datë për liberalizimin e vizave

Aktuale

Junker: S’mund t’u jap datë për liberalizimin e vizave

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 14:13
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker

( E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisionerin Johannes Hahn.

Presidenti Thaçi ka thënë se prezenca e sotme e delegacionit më të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të rritur të BE-së për Kosovën dhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Vizita e juaj i jep kuptim të plotë dhe mbështetje të palëkundur përpjekjeve tona dhe të qytetarëve tanë për të bërë hapa të shpejt dhe të vendosur në rrugën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se së bashku me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj, zëvendëskryeministrin Pacolli, kanë zhvilluar një takim mjaft përmbajtjesor dhe produktiv me Presidentin e Komisionit Evropian dhe delegacionin e BE-së.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, unë i përcolla presidentit Juncker dhe anëtarëve të delegacionit të lartë të BE-së mesazhin se në dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kosova është krenare dhe mirënjohëse që procesi ynë i shtetndërtimit është bërë në përputhje të plotë me vlerat dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Vlerat evropiane janë të mishëruara në shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht në Kushtetutën e ligjet tona. Prandaj, BE-ja është pjesë përbërëse e historisë sonë të re, përkushtim i sotëm dhe synim i pashmangshëm i së ardhmes sonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Image

Ai ka shtuar se pa dyshim se kemi shumë për të bërë, por kjo është një agjendë e përbashkët, agjendë që është pjesë e strategjisë së sapo publikuar të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo strategji, ndër të tjera, sipas presidentit Thaçi, ka rikonfimuar dy gjëra tepër të rëndësishme.

Së pari, presidenti Thaçi ka thënë se ka konfirmuar të ardhmen e sigurt për anëtarësimin e Kosovës në BE, ashtu siç e ka bërë edhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Lidhur më perspektiven tonë evropiane, unë e bëra të qartë se ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë të shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet, paqe dhe bashkëpunim për të gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Së dyti, sipas presidentit Thaçi, kjo perspektivë e anëtarësimit në BE është e kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese ndërshtetërore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre dy qëllimeve dhe detyra jonë është që si hap të parë të sigurojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe natyrisht, të punojmë me përkushtimin më të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë ai.

Me delegacionin e lartë të BE-së, presidenti Thaçi ka thënë se kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, një çështje tepër emergjente kjo në rrugën tonë evropiane.

“Besoj se të gjithë e kemi të qartë se pse sot Kuvendi i Kosovës nuk arriti të ratifikoj marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Nuk do të komentoj këtu asgjë, sepse jam i bindur që marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme. Dhe në momentin që kjo të ndodhë, unë jam i bindur se presidenti Juncker, të gjithë bartësit e institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, do të bëjnë punën e tyre, do t’i marrin vendimet e tyre të duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se strategjia që kanë botuar më 6 shkurt mbulon gjithë Ballkanin Perëndimor dhe kërkon të thellojë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian në radhë të parë është një bashkim vlerash.

“Kosovarët do të gjejnë kështu një të ardhme më të sigurt në Evropë. Është esenciale që kuvendi i juaj të votojë së shpejti demarkacionin e kufirit të përbashkët me Malin e Zi. Është një hap kyç, i pashmangshëm, i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e serbë do të jenë përfituesit e parë”, ka thënë ai.

I pari i Komisionit Evropian ka thënë se nuk është fare i kënaqur, që kosovarët janë të vetmit në rajon dhe në Evropë që nuk mund të udhëtojnë lirshëm.

“Ata janë qytetarë si të tjerët dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta, me kusht që demarkacioni të zgjidhet. Gjithashtu, të arrihen edhe hapa konkret në luftën kundër trafiqeve, në luftën kudër korrupsionit. Ne duam që marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të vihen në një bazë të re. Është themelore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një pajtim midis tyre, e cila do të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Evropës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se presidentin Juncker dhe delegacionin e lartë të BE-së e kanë informuar edhe për përkushtimin e institucioneve dhe për rezultatet në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Puna jonë nuk do të ndalet tani, nuk do të ndalet gjatë periudhës në vazhdim dhe as pas liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pas konferencës së përbashkët të dy presidentëve, delegacioni i lartë i BE-së i kryesuar nga Presidenti i Komisionit Evropian kanë organizuar edhe një bashkëbisedim të hapur me shoqërinë civile, përfaqësuesit e mediave dhe përfaqësuesit e subjekteve politike.

***

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker pas vizitës me krerët e vendit është deklaruar para mediave duke theksuar se kosovarët do të kenë një të ardhme më të sigurt në Evropë.

“Urojë që çështja e demarkacionit të kalohet sa më shpejtë , pra që Kuvendi ta votojë atë sa më parë sepse është hap kyç dhe i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave.”, ka thënë Jucnker.

Ai gjithashtu ka shtuar se bashkëqytetarët shqiptarë dhe serb do të jenë përfituesit e parë.

“Është themelore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një mënyrë për të ecur së bashku. BE në radhë të parë është bashkim vlerash dhe kosovarët do të gjejnë të ardhme të sigurt në Evropë. Është esenciale zoti kryetar që kuvendi juaj ta ratifikoj demarkacionin, i cili është një hap i pashmangshëm për liberalizimin e vizave, ku bashkë qytetarë serb dhe shqiptar do të jetë përfitues. Komisioni evropian është në gatishmëri që ta jap dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.”, ka shtuar ai.

Njëashtu Juncker ka thënë se është i lumtur që bashkë me zonjën Mogherini po përfundojnë rrugëtimin në Prishtinë, ku takojnë të gjithë partnerët. “Të thelohet bashkëpunimi me të gjithë partnerët e rajonit duke përfshirë Kosovën”, ka shtuar Juncker

Thaçi: Demarkacioni do të ratifikohet ditëve të ardhshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka dashur të komentojë mos ratifikimin e demarkacionit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke shprehur besimin se një gjë e tillë do të ndodhë ditëve të ardhshme.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media, pas takimit me presidentin e KE-së Jean Claud-Juncker dhe shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

“Nuk do të komentoj asgjë, sepse jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet ditëve të ardhshme. Jemi të bindur se pasi kjo të ndodhë, KE dhe zoti Juncker do të bëjnë punën e tyre, do të marrin vendimet e duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Image

Junker, Mogherini e Hahn nisin takimin e përbashkët me Thaçin, Haradinajn e Veselin

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe komisionerin Johanes Hahn, kanë mbërritur në Prishtinë.

Ata tashmë janë në Presidencë ku po zhvillojnë një takim me krerët e shtetit, presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli dhe me kryeministrin Haradinaj.

Për arritjen e tyre në Kosovë ka shkruar vetë Johannes Hahn në Twitter.

"Nevoja për të sjellë rajonin e tërë përpara, bazuar në meritat individuale", ka shkruar Hahn.

Delegacioni i BE-së arrin në Kosovë 

Delegacioni më i lartë i Bashkimit Evropian do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë.

Treshja e përbërë nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisioneri Hahn do të priten nga krerët e shtetit.

Aeroplani në të cilën ndodhet treshja, tashmë ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas agjendës së paralajmëruar, nga ora 14:20, treshja do të zhvillojnë një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ky takim në të cilin për media do të ketë mundësi vetëm për marrje pamjesh, do të mbahet në zyrën e presidentit.

Pas takimit, presidenti i KE, Juncker bashkë me Thaçin do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në korridor të hyrjes së Kuvendit nga ora 15:25.

Ky delegacion do të përmbyll vizitën me një takim që do ta mbajë me qytetarë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 16:00.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat