Ende s’janë siguruar votat për demarkacionin

Aktuale

Ende s’janë siguruar votat për demarkacionin

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 16:00
Kryesia e Kuvendit te Kosoves

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, beson se nesër do të ratifikohet marrëveshja për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ani pse ende nuk janë siguruar të gjitha votat.

Kreu i legjislativit shpreson se ata që janë kundër kësaj marrëveshje do të reflektojnë dhe ta japin votën pro kësaj marrëveshje.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën janë caktuar të mbahen tri seanca plenare. Vazhdimi i seancës së mbetur me pika nga seanca e kaluar, do të jetë të enjten, një seancë e re do të mbahet të premten, kurse, të hënën me 5 mars do të mbahet një seancë solemne me rastin e “Epopesë së UÇK-së”.

Veseli: Demarkacioni nesër duhet të kryhet

“Unë di me së shumti se shënimi i kufirit me Malin e Zi duhet të përfundoj, do të thotë kemi ratifikimin e marrëveshjes dhe të votohet. Në të njëjtën kohë duhet të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe duhet të marrim një vendim i cili është serioz dhe i cili është në të mirë të shtetësisë së Kosovës. Ajo çfarë unë e bëjë si kryetar i Kuvendit dhe lider politik i këtij vendi. Unë besoj se do të kaloj, nuk kam hyrë në kalkulime. Pres reflektimin e gjithë kolegëve deputetë që nesër bashkërisht, edhe ashtu reni është se boll e kemi vonuar, që të kryhet kjo çështje që është në interes të vendit”, tha Veseli.

I  pyetur se ku do t’i marrin edhe dy vota, Veseli nuk është përgjigjur nëse ato do të sigurohen nga Lista Serbe apo Vetëvendosja. Megjithatë, beson se do të ketë reflektim sepse ratifikimi i demarkacionit është interes strategjik i Kosovës.

Veseli: Askush s’duhet ta marrë barrën e patriotizmit

“Ratifikimi i marrëveshjes së kufirit duhet të ndodh sepse është interes strategjik i Kosovës, po forcohet sovraniteti, në të njëjtën kohë po iu hapet perspektivë qytetarëve tanë për lëvizje të lirë. Në të njëjtën kohë askush nuk ka të drejt ta marrë barrën e patriotizmit sepse është i rëndë, aq më tepër në mënyrë folklorike të paraqitet më patriot se idealet tona të lirisë që janë të qytetarëve tanë”, tha Veseli.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, bëri të ditur se janë siguruar deri më tani 78 vota, derisa edhe dy tjera shpreson se do të sigurohen deri në hedhjen në votim të marrëveshjes. 

Krasniqi: Deri tani kemi të konfirmuara 78 vota

“Ne presim që nesër të filloj seanca. Angazhimi i gjithë neve është që të përfundoj me sukses, pra me ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin. Ju e dini që nevojiten 80 vota, deri tash mund të themi që janë të konfirmuara 78, por deri në momentin kur të hidhet në votim do ta kemi shumicën e mjaftueshme për ratifikim të suksesshëm”, theksoi Krasniqi.

Edhe Krasniqi shpreson se deputetët që janë kundër, nesër do të jenë racional dhe do t’i qesin përpara interesat e qytetarëve para interesave personale, partiake apo politike.

Seanca për ratifikimin e demarkacionit ka dështuar të mbahet dy herë.

Kryesia cakton tri seanca të reja parlamentare

Kryesia e Kuvendit ka caktuar tri seancat e reja parlamentare.

Vazhdimi i pikave nga seanca e kaluar dhe interpelanca e kryeministrit Haradinaj u caktua për ditën e enjte më 1 mars ora 10:00.

Seanca tjetër u caktua të premten më 2 mars ora 10:00, ndërsa seanca solemne për Epopenë e UÇK-së më 5 mars.

Ndërsa nesër nga ora 10:00 fillon seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të ratifikohet Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat