Shkuan 50 mijë euro për ‘komisionin Bulliqi’, raporti i të cilit mbeti vetëm orientues

Aktuale

Shkuan 50 mijë euro për ‘komisionin Bulliqi’, raporti i të cilit mbeti vetëm orientues

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 23:33
Shpejtim Bulliqi

Haradinaj pretendonte dhe thoshte se ishte i bindur se Kosova po humbte territor në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, dhe për ta vërtetuar këtë kishte shpenzuar 50 mijë euro nga buxheti i shtetit, ani pse komisioni ia kishte dëshmuar këtë, ai e la ‘pas dore’ raportin e kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, e këtë e bëri pas kërkesës së LDK-së.

Partitë politike me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, arritën sot marrëveshje për kalimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në seancën e të mërkurës.

Komisioni për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, është hequr sot pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi këta nuk e pranuan raportin si dokument obligues, por vetëm si dokument orientues.

“Është heq pra pengesa e fundit politike që të arrihet një konsensus me LDK-në në parlament për të votuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, Ligj i cili po ashtu përmban post marrëveshjet edhe raportin e komisionit shtetëror si orientim dhe deklaratën e presidentëve”, ka thënë Haradinaj në konferencën për media.

Ndërsa zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se duke parë insistimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për heqjen e Raportit të Shpejtim Bulliqit nga ligji, Haradinaj gjeti një rrugë të ndërmjetme duke i dhënë zgjidhje kështu një problemi që e ka mbajtur peng vendin për tre vjet.

Raporti i përpiluar pas disa javësh punë të këtij komisioni, ka kushtuar gjithsejtë 50 mijë euro, saktësisht 49 mijë e 40 euro i ka ndarë Qeveria disa javë më parë për punën e këtij komisioni.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është i bindur se do të ratifikohet demarkacioni, ai ka shtuar se ka një reflektim nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nga Lista Serbe.

“Kemi reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, për votimin e demarkacionit. Në të njëjtën kohë kemi kontakte intensive me Listën Serbe. Shumë jam optimist se ditën e mërkurë do të arrijmë që bashkërisht ta votojmë për marrëveshjen që e presin qytetarët”, ka thënë Veseli.

Gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, duke ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kalimi i marrëveshjes për Demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë – unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë PO”, ka shkruar Delawie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat