S’ka marrëveshje të demarkacionit, nuk pajtohen deputetët e PDK-së dhe NISMA-s

Aktuale

S’ka marrëveshje të demarkacionit, nuk pajtohen deputetët e PDK-së dhe NISMA-s

Nga: D.RR Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 21:55
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Partitë politke patën një takim të enjten mbrëma, për të gjetur një dakordim mes tyre për një marrëveshje të demarkacionit me Malin e Zi.

Mirëpo siç mëson "Bota sot" nga burime të brendshme, marrëveshja nuk është arritur për arsye se ka pasur disa mos pajtime mes deputetëve të PDK-së dhe NISMA-së, dy parti këto që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës.

Mbetet të shihet se a do të kemi ndonjë ndryshim deri nesër.

LDK: Ne ofruam zgjidhjen

Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti ka folur pas takimit të mbajtur në mes të partive politike.

Përmes një komunikate për media, ai ka thënë se LDK i ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme që është në përputhjen me vullnetin për lëvizje të lirë, përcjell Bota sot.

LDK i bën thirrje koalicionit që të dakordohet me zgjidhjen e propozuar nga LDK, që t’i sigurojnë votat e shumicës.

Komunikata për medie:

Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse.

LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim.

Zyra për Informim e LDK-së.

PDK: Subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart angazhimin e partive politike parlamentare për arritjen e konsensusit nacional për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Arritja e konsensusit, për të cilin sot kishte përpjekje, është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë. 

PDK shpreh bindjen e plotë se subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak që Marrëveshja për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet sa më shpejt. 

PDK do të angazhohet edhe nesër që të arrihet ky konsensus.

PDK falënderon përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike parlamentare për dialogun konstruktiv lidhur me gjetjen e zgjidhjes për çështjen kryesore në raport me liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat