Flet Sylejman Selimi: Votojeni Demarkacionin, lirojeni popullin nga burgu

Aktuale

Flet Sylejman Selimi: Votojeni Demarkacionin, lirojeni popullin nga burgu

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 13:13
Sylejman Selimi

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë se “ndoshta unë jam i fundit që duhet të flisja për këtë temë, a për çfarëdo teme tjetër, sepse ndodhem në burg, mirëpo politikanët e Kosovës të mos e mbajnë në burg të gjithë popullin". Prandaj, ai bën thirrje të votohet Demarkacioni.

Një prej emblemave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Selimi, në një deklaratë nga burgu, i bën thirrje politikes kosovare që “ta lirojnë popullin nga burgu”.

Sylejman Selimi, i cili po vuan dënimin për krime lufte, ka bërë sot një deklaratë për media, ku i bën thirrje deputetëve që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai aktualisht ndodhet në burgun e Dubravës dhe porosia e tij për politikanët shqiptarë është jashtëzakonisht emocionale.

“Votojeni demarkacionin”, ka thënë ai.

“Lirojeni popullin nga burgu”, ka shtuar ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selimi ka thënë se Mali i Zi i ka hapur rrugë Kosovës që ta përmbyllë këtë proces që po e lë Kosovën të izoluar nga bota. “Le të ulen me Malin e Zi, le t’i sqarojnë dilemat që kanë mbetur”.

Selimi shtoi se ideali i luftëtarëve të UÇK-së ka qenë liria e popullit. “Liria e popullit të Kosovës ka qenë ideali ynë”, ka thënë ai.

“Deputetët nuk duhet të na bëjnë horë. Secili ushtar i UÇK-së që sot është në Kuvend duhet ta dijë për çka kemi luftuar. Nuk e kemi bërë këtë për t’u izoluar nga bota”, ka deklaruar Selimi.

“Ndoshta mua nuk me bie të flasë për këtë, sepse gjendem në burg, por ju e latë krejt popullin në burg”, përfundon Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat