Aktivistët e VV-së kundërshtojnë pretendimet e prokurorit

Aktuale

Aktivistët e VV-së kundërshtojnë pretendimet e prokurorit

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 07:17
Pamje nga gjykata

(E plotësuar) - Prokurori special ka bërë ankesë në gjykatën e apelit rreth aktgjykimit të shkallës së parë. Ai ka kërkuar dënim më të lartë ndaj të akuzuarve. Këtë ankesë e kanë kundërshtuar të akuzuarit.

Të akuzuarit përmes ankesave kanë deklaruar se ky proces gjyqësor është i montuar politikisht. Avokati i Atdhe Arifit, Ramiz Krasniqi, ka thënë se aktgjykimi është cinik, është i vrazhdë dhe nuk është mbështetur në prova.

Krasniqi tha se ankesa më e mirë ndaj këtij aktgjykimi është vetë aktgjykimi dhe si i tillë një aktgjykim i tillë nuk duhet të mbetet në analet e historisë së drejtësisë kosovare.

I akuzuari Frashër Krasniqi rastin e ka quajtur politik. Ai tha se ky është një rast politik dhe çdo dëshmi e çdo dëshmitari është e ndikuar nga policia dhe çdo zhvillimin në këtë proces në gjykatë ka qenë në koordinim të plotë me zhvillimet politike.

 Krasniqi deklaratat e dëshmitarëve në procesin  në Gjykatën Themelore i ka quajtur kontradiktore. Ai tha se provat materiale shkencore të këtij rasti për e janë shfajësuese, kurse deklaratat e dëshmitareve janë të pavërtetuara dhe kontradiktore.

Ndërsa, avokati i tij , Tomë Gashi ka kërkuar që të lirohen aktivistët e Vetëvendosjes.

 Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit tha se Gjykata Themelore ka ardhur në përfundim shumë të gabuar. Sipas tij qartësimi i fotografive nuk është bërë, ADN nuk është përputhur me asnjë nga të akuzuarit. Gjithashtu, edhe avokati i Adea Batushës ka kundërshtuar aktgjykimin e Themelores për katër aktivistët e Vetëvendosjes.

Aktivistët e Vetëvendosjes në Gjykatë, nuk lejohen xhirimet

Në seancën ku po shqyrtohet dënimi i aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin në Kuvend është kufizuar xhirimi, kjo për shkak se gjykata ka marrë vendim që xhirimi të lejohet vetëm deri në momentin e fillimit të referimit të lëndës.

Ky kufizim po bëhet me respektimin e parimit që të akuzuarit janë të pafajshëm, deri të vërtetohet fajësia e tyre. 

Gazetarët janë lejuar të qëndrojnë brenda, por që as ata nuk guxojnë të xhirojnë në asnjë mënyrë.

***

Katër aktivistët e Vetëvendosjes që u dënuan me 21 vjet burg për sulmin në Kuvend janë sjellë në Gjykatë të Apelit ku pritet të shqyrtohet ankesa e mbrojtjes lidhur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë.

Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti janë sjell me duar të lidhura nga qendrat e paraburgimit ndërsa në Gjykatë është edhe e dënuara tjetër Adea Batusha e cila është në liri.

***

Sot Gjykata e Apelit do të mbaj seancën e radhës ndaj aktivistëve të Lëvizjes, të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit.

Seanca ndaj Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Egzon Haliti mbahet pasi më 17 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtorë dhe dënuar me 21 vjet burg aktivistët e Vetëvendosjes.

Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg. Përderisa Adea është në liri, të akuzuarit e tjerë janë në paraburgim.

Të katër të akuzuarit, së bashku me tani të ndjerin, Astrit Dehari, akuzoheshin se kryen sulmin në Kuvend në përpjekje për të parandaluar kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Të gjithë të akuzuarit me këmbëngulësi janë deklaruar të pafajshëm teksa e kanë quajtur montim rastin ndaj tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat