Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të prirë nga shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, takuan sot në takime të ndara Greg Delawie, ambasadorin e SHBA- së dhe shefen e Zyrës së BE-së Natalia Apostolova, me të cilët kanë biseduar për situatën në vend dhe procesin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas një komunikate për media, ambasadori Delawie dhe Apostolova vlerësuan lart kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë proces dhe konsistencën për integrimet euroatlantike.
Nga ana e tij, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ritheksoi edhe një herë qëndrimin e LDK –së sa i përket procesit të ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe konfirmoi votën unanime pro të Grupit Parlamentar.
Gjithashtu Hoti e cilësoi të çmueshme mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të BE-së gjatë këtij procesi dhe i falënderoi ata për mbështetjen që po i japin vendit./BS