“Vota e Listës Serbe pro Demarkacionit do ta ketë çmimin e vet”

Aktuale

“Vota e Listës Serbe pro Demarkacionit do ta ketë çmimin e vet”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 21 shkurt 2018 Në ora: 08:58

 “Qeveria aktuale është e varur nga vullneti i deputetëve nga lista serbe kështu qe në çdo proces ata janë faktor ne vendimmarrje. Jam me se i bindur se vota e listës serbe pro demarkacionit do ta ketë çmimin e vet. Ditët ne vijim do te kuptojmë se si do te kapitalizohet vota e tyre”, thotë Quni për gazetën “Bota sot”.

Marrëveshja për demarkacionin është nënshkruar ditë më parë mes dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, por koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm për votimin e kësaj marrëveshje në Kuvend.

Lista Serbe, që është pjesë e koalicionit qeverisës, po heziton votimin e demarkacionit, duke  e kushtëzuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Vetëm Lëvizja Vetëvendosja dhe Lista Serbe, po e kundërshtojnë këtë marrëveshje të demarkacionit, kurse në anën tjetër, LDK-ja është deklaruar se do ta votojë këtë marrëveshje.

Ende nuk ka asgjë zyrtare se kur do të mbahet seanca për votimin e demarkacionit, e kjo mundet të ndodh për arsye se Lista Serbe po negocion për një marrëveshje me partitë tjera të koalicionit.

Qeveria aktuale e varur nga Lista Serbe

Image
Anton Quni

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Anton Quni, duke folur për “Bota sot”, thotë se Kosova do të ketë gjithmonë problem, pasi që në çdo situatë ku kërkohet qëndrime i kësaj liste, ajo situatë do të stagnohet.

“Ne çdo situatë kur kërkohet edhe qëndrimi i deputetëve nga lista serbe, ajo situatë do te stagnohet edhe nga vullneti i Beogradit. Qeveria aktuale është e varur nga vullneti i deputetëve nga lista serbe kështu qe në çdo proces ata janë faktor ne vendimmarrje. Jam me se i bindur se vota e listës serbe pro demarkacionit do ta ketë çmimin e vet. Ditët ne vijim do te kuptojmë se si do te kapitalizohet vota e tyre”, thotë Quni.

Ai mendon se qeveria aktuale nuk është në dijeni se nuk e kanë stabilitetin dhe aftësinë për të marrë vendime të mëdha për të cilat kanë thënë para se të vijnë në pushtet.

 “Ndërkohë qe mendoj se kjo qeveri duhet përfundimisht ta kuptoj qe nuk kane stabilitetin dhe aftësinë për te marre vendime te mëdha për te cilat thoshin se duhet te vijnë ne pushtet. Meqenëse kjo situate (varshmëria e qeverise ne Listën Serbe) po e dëmton vendin dhe qytetaret e saj me mos funksionalitet, duhet gjetur forme dhe mundësi qe vendi te shkoj sa me pare ne zgjedhje te reja”, deklaroi Quni.

Lista Serbe, gjithmonë do të jetë pengesë

Image
Drita Millaku

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë për “Bota sot” se Lista Serbe do të jetë gjithmonë pengesë për çështje të rëndësishme të Kosovës.

“E kam thënë gjithmonë se Lista Serbe do te jetë pengesë për shumë çështje te rëndësishme për Kosovën dhe ne rastin e demarkacionit Lista Serbe do të hedh kushte që do të jenë në dëm te Kosovës Qeveria është dhe do të jetë e varur nga Lista Serbe”, thotë Millaku.

Të dorëhiqet koalicioni qeverisës

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, analisti politik Nexhat Haziri, tha për “Bota sot” se me këtë qeveri aktuale, Lista Serbe çdo ditë e më shumë po e rrit ndikimin e saj në institucionet e Kosovës.

“Pas kundërshtimit të Listës Serbe sa i përket votës së këtij subjekti politik për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në kuvendin e Kosovës, dhe kushtëzimin e kësaj vote me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka krijuar një paqartësi se kurë do të mbahet seance për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Me këtë veprim Lista Serbe po e forcojnë ndikimin e saj në institucionet e Kosovës”, shprehet Haziri.

Ai mendon se mënyra e vetme për t’iu shpëtuar kushtëzimeve të Listës Serbe, është që ky koalicion që është në pushtet, të dorëhiqet, në mënyrë që Kosovës të mos i shkaktojë dëme të tjera.

“Koalicioni aktual i përbërë nga PDK, AAK dhe NISMA, nuk përfaqësojnë shumicën shqiptare, dhe jo vetëm tani por që nga formimi i qeverisë së Kosovës nga koalicioni PANA, në mungesë të një shumice, roli i Listës Serbe ka qenë dominant. Dhe po ashtu për ti siguruar votat e duhura, pra edhe të Listës Serbe, qeveria e Kosovës do të detyrohet të pranoj disa nga kushtet e listës serbe që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si i tillë ky koalicion, për ti shpëtuar kushtëzimeve të përhershme nga lista serbe, e ka vetëm një zgjedhje, e ajo është të dorëhiqet, në mënyrë që Kosovës mos të i shkaktoj dëme të tjera siç I ka shkaktuar deri më tani”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat