Pacolli: Hakmarrja jonë për dhjetëvjetor dhe përgjithmonë

Aktuale

Pacolli: Hakmarrja jonë për dhjetëvjetor dhe përgjithmonë

Nga: P.R Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 19:52
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, njëherit edhe Ministër i Jashtëm, përmes një postimi në facebook, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit serb, Ivica Dacic, i cili tha se Burundi e ka tërheq njohjen e Kosovës.

“Dje kolegu im serb i lodhur, për të ardhur keq, donte të na prishte festën, me të ashtuquajturën tërheqje të Burundit. Një lojë qësharake, pse Burundi ishte ndër mbrojtësit e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai gjest i Burundit në Hagë vlenë, sepse ishte botërisht, ishte gjest natyral i një vendi ish kolonial si Burundi. Ne do të sigurojmë njohje të reja dhe kjo do të jetë hakmarrja jonë”, ka shkruar Pacolli, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Fillimi i dekadës së dytë të shtetësisë së Kosovës.

Hakmarrja jonë për dhjetëvjetor dhe përgjithmonë

Sa herë që shkoj në Marec, në fshatin tim të lindjes, para shtëpisë time të rrënuar nga granatimi i ushtrisë serbe, përfytyroj sesi mundën të shpëtonin një pjesë e familjarëve të mi në ato çaste. 14 prej fisit tim të afërt fatkeqësisht nuk janë më. Ato janë viktima të gjenocidit mbi shqiptarët. Cila është hakmarrja ime dhe hakmarrja jonë për luftën, për viktimat që gjithë kosovarët kanë në familjet e tyre? Ky është një reflektim që e bëj shpesh, pra dhe sot në dhjetë vjetorin e pavarësisë, për të cilën e kam një përgjigje.

Hakmarrja është një pjatë e nxehtë që servohet e ftohtë. Unë kam vendosur ta rindërtoj shtëpinë time. Atje do jetojnë fëmijët e mi. Në fshatin tim që pasi kam parë krejt botën, e quaj më të bukurin në botë, e ku sot kanë mbetur pak shtëpi, dua të realizoj një projekt turistik. Projekti, bashkë me fabrikat që i japin punë qindra të rinjve, hotelin, ndërtimtarinë, janë hakmarrja jonë. Duke i dhënë punë, shpresë qindra mijëra familjeve, ne mundësuam qëndrimin dhe kthimin e kosovarëve në vatrat e tyre. Ku kemi tokën tonë, jetën tonë, varret e të parëve, historinë tonë. Ata që na luftuan, donin të na asgjësonin, të na zhduknin, të na largonin prej tyre.

Ne u kthyem në vatrat tona të djegura me ndihmën e miqëve tanë të Përendimit dhe i rindërtuam ato. 10 vjet më parë shpallëm pavarësinë, dhe po ndërtojmë shtëpinë tonë të re të përbashkët, Republikën tonë.

Të gjithë bashkë, ne duhet ta ndërtojmë Kosovën dhe kjo është hakmarrja jonë më e mirë. Kosova është vendi më i pasur në botë, me burime natyrore, me rini të mrekullueshme, e cila mjerisht sot është e papunë.

Ne duhet të tregojmë se liria dhe pavarësia funksionon. Ne duhet t’i tregojmë fqinjit tonë se pavarësia ishte rruga e vetme që ne të mbijetonim fizikisht. Ne duhet që të tregojmë se të lirë dhe të pavarur do jetojmë më mirë se sa më parë.

Unë sot jam ministër i jashtëm dhe vazhdimisht i tregoj botës dhe bashkëbiseduesve të mi historinë e shpresës së popullit tonë që rrezikoi të zhdukej, por sot po ndërton një jetë të re, në një Republikë model në botë për bashkëjetesën etnike dhe fetare. Unë sot së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë po vazhdoj lobimin për njohje ngado nëpër botë. Kjo është hakmarrja jonë më e mirë dhe besoj se ja kemi mbërritur të fitojmë përballë një shteti më të madh, me mjete, burime njerëzore shumë herë më të mëdha sesa tonat.

Dje kolegu im serb i lodhur, për të ardhur keq, donte të na prishte festën, me të ashtuquajturën tërheqje të Burundit. Një lojë qësharake, pse Burundi ishte ndër mbrojtësit e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai gjest i Burundit në Hagë vlenë, sepse ishte botërisht, ishte gjest natyral i një vendi ish kolonial si Burundi. Ne do të sigurojmë njohje të reja dhe kjo do të jetë hakmarrja jonë.

Rrota e historisë nuk kthehet pas. Kosova sheh vetëm përpara, duke ndërtuar shtëpinë tonë të re, të lirë dhe të pavarur në mes të Evropës. Shumë do doja që kolegët e mi në qeverinë e Kosovës të veprojnë më me shumë menquri sinqeritet e vizion, të lënë anash çdo gjë tjetër e të vënë si qellim kryesor Kosovën, ardherinë e ndritëshme të rinisë dhe qytetarëve të saj. Unë jam i bindur se me pak më vizion, vullnet e dashuri, Kosova sot do të dukej më ndryshe se tani, më e bukur, më e pastërt me e rregulluar më e qytetëruar.

Gëzuar dita e parë e fillimit të dekadës së dytë të shtetësisë tonë, bashkëkombasit e mi, bashkëkohanikët e mi, rini e mrekullueshme. E ardhmja jonë është para nesh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat