Haradinaj: I kam thënë Ramës, ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam

Aktuale

Haradinaj: I kam thënë Ramës, ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 14:55
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot në Mitrovicë edhe për disa deklarata të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se ky i fundit do ta ndihmojë Kosovën më së miri vetëm duke e zhvilluar fort Shqipërinë.

Ai i bëri komente në manifestimin tashmë tradicional ‘Java e Minatorëve’, duke përkujtuar kështu grevën e urisë 29 vite më parë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, që asokohe lëkundi themelet e Jugosllavisë.     

Haradinaj: Ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam

“I kam thënë vëllait tim Edi Ramës në bisedë, ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam, me i dhënë ide e me i treguar qysh me i bë punët e shtëpisë, por më së miri që Edi Rama e ndihmon Kosovën është me zhvilluar fort Shqipërinë. Me pas qenë Shqipëria anëtare e BE-së sot, sa mirë kishte me qenë për ne, sepse i kishin vënë kushte atyre të tjerëve duke thënë pa u sjellë mirë me Kosovën, nuk ecën përpara”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Edi Rama kohë më parë ka deklaruar se ishte Haradinaj ai i cili shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Haradinaj i ka sugjeruar kryeministrit Edi Rama që të merret me punët e shtetit të tij. Rama tha se demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro – atlantike të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat