Hoxha: Dialogu të përmbyllet me marrëveshje të pranueshme nga të dy palët

Aktuale

Hoxha: Dialogu të përmbyllet me marrëveshje të pranueshme nga të dy palët

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 13:05
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, vlerëson si mjaft pozitive dhe moment kthese për të ardhmen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Kosovës Strategjinë e Zgjerimit të BE-së.

Ajo gjatë konferencës  “Momenti i ri për zgjerimin në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova?”, theksoi perspektivën evropiane për Kosovën, duke ndërtuar institucionet, shtetin demokratik dhe me ekonomi të qëndrueshme.

“Sfida e parë ka qenë krijimi i institucioneve kurse sfida e vazhdueshme është reformimi dhe fuqizimi i tyre. Shpallja e pavarësisë ka sjellë një dinamikë të re dhe sigurisht sfida të tjera”, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë theksin te Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në.

“Reformat që kërkohen nga Kosova janë substanciale dhe prekin sektorët më të rëndësishëm. Konsideroj se një nga përfitimet është fakti se BE bëri të qartë se në cilat fusha duhet fokusuar dhe cilat sektorë duhet reformuar e fuqizuar”, theksoi Ministrja.

Në këtë drejtim, theksoi ministrja, Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje.  Të gjitha fushat në të cilat Strategjia e Komisionit Evropian kërkon fokus dhe përparim, ceku ministrja Hoxha, janë të domosdoshme për Kosovën.

“Kjo strategji thotë se BE nuk do të importojë probleme, që është një mesazh për Serbinë se duhet vazhduar dialogu me rezultate konkrete dhe nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur problemin me Kosovën”, vuri në dukje Hoxha.

Ajo ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë se dialogu do të përmbyllet vetëm me një marrëveshje të pranueshme nga të dy palët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat