Ideja e Ramës ngjall reagime pro et contra

Aktuale

Ideja e Ramës ngjall reagime pro et contra

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 18:05
Edi Rama

Ideja e kryeministrit shqiptar Edi Rama për një president të përbashkët ka ngjallur reagime pro dhe kundër. Disa e quajnë ndërhyrje në punët e Kosovës e mungesë respekti për qytetarët e Kosovës, e disa të tjerë e quajnë deklaratë të pamatur.

Idenë e tij për një president të përbashkët Rama e dha në seancën solemne me rastin e jubileut të parë të pavarësisë së Kosovës.

Rama: Një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta. Por, pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë kryeministri Rama.

Reagim të menjëhershëm rreth kësaj ide pati shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili propozimin e kryeministrit Edi Rama për një president mbarëshqiptar, e ka quajtur mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, kishte shkruar Hoti në Facebook, postim i cili sot nuk gjendet në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkaq, deklaratë të pamatur e ka quajtur edhe deputeti tjetër nga radhët e LDK-së Driton Selmanaj, për të cilin deklarata e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama është në funksion të qëllimeve dhe interesave të tij personale.

Selmanaj përmes telefonit i ka thënë kp, se që nga marrja e pushtetit Edi Rama është sjell sikur të ishte lider i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

“Mënyra se si artikulohet për çështjen e Kosovës, disa herë po e them, ka dëshmuar që ai krejt këto çështje ose tematika i adreson në funksion të interesit të tij personal. Projektet e tilla janë shumë të parakohshme, do të thotë qoftë për një president të përbashkët, qoftë për një formë tjetër të organizimit politik në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo çka që është shumë e domosdoshme në këtë fazë, është që Shqipëria dhe ne të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që adresa e vetme aktualisht të jetë për neve dhe për ta Bashkimi Evropian. Më pas, në një situatë krejtësisht tjetër, Kosova dhe Shqipëria mund të mendojnë për organizime të tjera politike, por aktualisht deklaratë e pamatur në funksion krejtësisht të qëllimeve të tija personale për t’u dëshmuar apo për t’u shitur si një lider mbarëkombëtar, jo vetëm si një kryeministër i Shqipërisë”, ka thënë Selmanaj.

Por, ai mohon se LDK-ja është kundër bashkëpunimit me Shqipërinë në fusha të tjera, por që ai thotë se Kosova dhe Shqipëria në këtë fazë duhet të bashkohen në Bashkimin Evropian, por që në një fazë krejt tjetër ai tha se mund të mendojnë për organizime të tjera politike.

“Jo, absolutisht jo, LDK-ja, qëndrimi i saj ka qenë gjithmonë që në të gjitha format e bashkëpunimit, qoftë në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit, politikës së jashtme pse jo. Do të thotë në çdo aspekt, të kemi një bashkëpunim të ngushtë në çdo aspekt të organizimit të jetës tonë. Por, në kontekstin e subjektivitetit të shtetësisë tonë dhe shtetit shqiptar mendoj që janë dy rrugë, të cilat na dërgojnë drejt Bashkimit Evropian dhe krejt koncentrimi ynë do të duhej të ishte maksimalisht që t’i bëjmë të dy shtetet të jetueshme, t’i bëjmë këto shtete të dinjitetshme për njerëzit që jetojnë andej dhe këndej kufirit, dhe jo edhe më tutje edhe Kosova dhe Shqipëria të ketë numrin më të madh të njerëzve që ikin nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë ai.

Deklaratën e shefit të Grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, përmes rrjetit social Facebook e ka komentuar deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, duke thënë se nuk e di pse LDK në përgjithësi me zell flasin e përshëndesin veprime antikombëtare dhe kundërshtojnë deklaratat që çojnë drejt bashkimit kombëtar.

“Avdullah Hoti paska reaguar kundër deklaratës të Edi Ramës, e po ashtu ditë më parë duartrokiti heqjen e flamurit kombëtar nga rrethi. S'e di pse LDK në përgjithësi me zell flasin e përshëndesin veprimet antikombëtare dhe kundërshtojnë deklaratat që çojnë drejt bashkimit kombëtar. Nuk e mbaj mend ndonjëherë që Hoti dhe LDK kanë reaguar kundër deklaratave të shpeshta të Vuçiqit, kundër Republikës sonë, as kundër luftës së egër të Serbisë ndaj Kosovës, kudo në mekanizmat ndërkombëtarë. Në raste të tilla fshihen si struci!”, ka shkruar ajo.

E analisti Dastid Pallaska, është shprehur kundër kësaj ideje, madje ai ka ironizuar, duke thënë se dy vendet mund ta krijojnë vetëm një “dhomë të lartë të dy parlamenteve”. Por, kjo sipas tij, duhet të jetë në Dyz, ose në Burrel.

“Të vetmin institucion të përbashkët që munden me e krijuar Kosova dhe Shqipëria në 10 vitet e ardhshme është një “dhomë e lartë e dy parlamenteve” ku do të kishin mundësi me u pensionuar të gjithë patriotët e karrierës nga të dy vendet. Për seli mundemi me biseduar. Është Dyzi, por edhe Burreli nuk është vend i keq”, ka thënë ai.

Ndërkaq, qytetarët janë ndarë në dysh rreth kësaj ide. Në një anketë të realizuar, qytetarja Dafina Zeka është shprehur se do të ishte më mirë po qe se dy shtetet do të kishin një president të përbashkët.

Zeka: Një president do të ishte më mirë

“Ma merr mendja të kish qenë vetëm një president do të ishte më mirë, sepse ndoshta kishte qenë më mirë që mi bë të gjitha gjërat i vetëm. Ndoshta kish mundur, por 50 për qind jam e bindur që kish mundur me vendos, gjithçka me bë”, ka thënë ajo.

Kundër kësaj ide ishte qytetari Isak Berisha, i cili bëri edhe një krahasim duke thënë se shqiptarët e Kosovës janë më të mirë.

Berisha: Kurrsesi, nuk pajtohem më atë

“Kurrsesi, nuk pajtohem më atë, se ne jemi shumë më të mirë se ata. Se Enver Hoxha e ka marrë Stalinin afër vetës, njeriu më i keq që ekziston në botë Stalini ka qenë”, tha ai. 

Se dy shtete është më mirë thotë edhe qytetari Xhevahir Begolli, sipas të cilit një gjë e tillë me kalimin e kohës mund të realizohet.

Begolli: Qysh e kemi tani, jemi dy shtete, dy flamuj

“Qysh e kemi tani, jemi dy shtete, dy flamuj. Por, me kalimin e kohës do të jemi në Bashkimin Evropian ndoshta do të bëhemi të gjithë me një president. Për momentin është koha, koha është tash që funksionon, e tutje ndoshta ndodh edhe ajo”, tha ai./Kosovapres/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat