Diplomacia nuk arriti atë që duhej për dhjetë vjet shtet

Aktuale

Diplomacia nuk arriti atë që duhej për dhjetë vjet shtet

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 14:44
Prishtinë

Diplomacia e Kosovës nuk arriti të përmbush misionin e saj në jubileun e parë të shtetësisë së Kosovës, ani pse pati edhe disa të arritura.

Mungesa e njohjeve të reja në vitet e fundit, mos anëtarësimi në organizata të rëndësishme, si UNESCO, INTERPOL e tjera, politizimi i skajshëm i shërbimit diplomatik e mos koordinimi mes institucioneve të vendit, janë problemet që e kanë përcjellë diplomacinë kosovare për dhjetë vjet shtet.

Analistë e deputetë vlerësojnë se ka mundur të bëhet me shumë dhe se nuk është prezantuar ashtu siç duhet në arenën ndërkombëtare.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për KosovaPress, se arritjet më të mëdha në diplomacinë kosovare janë bërë fal kontributit të shteteve mike të Kosovës, e jo aq shumë për shkak të punës së diplomacisë kosovare.

Mushkolaj përmend njohjet që kanë ardhur për shtetin e Kosovës, ku pjesa më e madhe e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, kanë ndodhur në vitet e para pas pavarësisë, dhe po del se ato janë arritur, fal kontributit që kanë dhënë shtetet mike të Kosovës, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania.

Mos ardhja e njohjeve të reja, sipas Mushkolajt është si rezultat i dy problemeve, e që janë Rusia dhe Spanja.

Mushkolaj: Diplomacia kosovare mund të mburret vetëm me punësime të militantëve

“Për shkak se sa i përket Rusisë, ne nuk na ka njohur grupi më i madh i shteteve që janë me Rusinë. Ndërkaq sa i përket Spanjës, nuk na ka njohur po ashtu një grup i madh i shteteve që i përkasin Amerikës Latine, që kanë të bëjnë me aleancat që e kanë me Spanjën. Fatkeqësisht pjesa më e pa lavdueshme e diplomacisë, ka të bëjë me përfaqësimin diplomatik nëpër botë. Ne e dimë që përfaqësitë diplomatike kudo që i ka Kosova, janë të mbushur me njerëz jo profesionistë dhe me njerëz militantë. Njerëz të cilët nuk garantojnë, se do të mund të kemi as njohje të reja, as përfaqësim të denjë në shumicën e rasteve. Natyrisht se ka përjashtime, por nëse diplomacia kosovare mund të mburret me diçka, atëherë mund të mburret vetëm me këto punësimet e padenja dhe partiake, nëpër ambasada, nëpër konsullata gjithandej botës, por fare pak, ose aspak, mund të mburret me kontributin që e ka dhënë qoftë me sjelljen e njohjeve të reja, qoftë me qasjen dinamike për ta anëtarësuar Kosovën në organizata ndërkombëtare”, tha Mushkolaj.

Jo të kënaqur me arritjet në diplomacinë kosovare janë edhe deputetët e partive politike. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vlerëson se është bërë një punë e mirë, por jo e kënaqshme në shërbimin diplomatik.

Deliu-Kodra: Është punuar por duhet intensifikim edhe më i madh

“Si një shtet i ri konsideroj se është bërë një punë, e cila duhet të vlerësohet, por gjithsesi që duhet të ketë një intensifikim, veçanërisht karshi pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Konsideroj se duhet të kemi një fushatë të madhe që të avokojmë tek këto shtete për të përmirësuar këto relacione por gjithsesi edhe tek shtetet mike që ka ndodhur të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtarë”, theksoi Deliu-Kodra.

Ajo përmend edhe mungesën e koordinimit mes institucioneve që merren me diplomacinë, e cila sipas saj, ka shkaktuar edhe mungesë të rezultateve.

Deliu-Kodra: Shumë herë ka munguar koordinimi

“Ka pasur momente kur ne nuk kemi qenë shumë të koordinuar sa i përket lobimit si shtet, ndoshta ka pasur përkushtim individual, por gjithsesi që një koordinim më i mirë brenda institucioneve, Qeveri, Kuvend do ta intensifikonte në masë të madhe. Do të thotë nëse Kosova do të fliste me një gjuhë në përfaqësimin e saj ndërkombëtarë kjo do ta fuqizonte shumë me shumë mesazhin”, thotë ajo.

Edhe deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, thotë se nuk u arrit ajo që është dashur në diplomacinë kosovare. Ai përmend dy grupe në të cilat ka ngecur diplomacia kosovare për të arritur sukses edhe më të madh, qoftë në sjelljen e më shumë njohjeve, anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Sejdiu: Politika e jashtme si shfrytëzoi rastet në favorin e saj

“Unë besoj se nuk jemi aty ku është dashur të jemi dhe i kisha përmbledh këto ngecjet në dy grupe apo problematika që është ballafaquar politika jonë e jashtme. E para ka qenë humbja e rasteve të veçanta ku ka mundur të ketë një zhvillim me të hovshëm. Si një prej atyre, si shembull është edhe vendimi i GJND-së, ku ne tërësisht nuk e kemi përdorur në favorin tonë njërën nga ngjarjet me të rëndësishme që kanë ndodhur në aspektin juridik që ndërlidhet me pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, çështja e dytë apo grupimi i dytë i ngecjeve ka pasur të bëjë me faktin se diplomacia jonë nuk ka qenë mjaftueshëm e organizuar për të shfrytëzuar miqtë tanë dhe për të arritur suksese në sferat e tyre të ndikimit që kanë, qoftë SHBA-të, apo Australia në anën e pacifikut edhe shtetet e BE-së që kanë sferat e tyre të ndikimit”, tha Sejdiu.

Duke folur për njohjet, Sejdiu thotë se pikërisht këto dy çështje lidhen me njohjet sepse po të shfrytëzoheshin këto përparësi të Kosovës, atëherë do të kishte me shumë njohje në këtë jubile. Madje, thotë se kishte shpresuar se deri tani, Kosova do të kishte numër të mjaftueshëm të njohjeve.

Ministri i parë i Punëve të Jashtme pas shpalljes së pavarësisë ishte Skënder Hyseni, derisa pas tij ishte Enver Hoxhaj, Hashim Thaçi, përsëri Enver Hoxhaj dhe aktualisht është Behgjet Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat