Thaçi: Momenti i zyrtarizmit të ushtrisë po troket në derën e hapur

Aktuale

Thaçi: Momenti i zyrtarizmit të ushtrisë po troket në derën e hapur

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 14:02
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur, pasi partnerët tanë strategjikë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces.

Presidenti Thaçi tha se bërja e këtij shteti dhe çlirimi i Kosovës i ka bashkuar breza të tërë të cilët flijuan gjithçka për të bërë realitet shtetin sovran dhe demokratik, e cila ndodhi para 10 viteve, pikërisht më 17 shkurt, që ishte dhe do të mbetet ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë.

“Herën e fundit kur kishim një parakalim të FSK-së ishte para katër viteve. FSK i kishte kryer të gjitha përgatitjet për t’u transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës. Fatkeqësisht ne si politikë e Kosovës nuk ishim në gjendje që t’i përcjellim si duhet në hapa Forcat e Armatosura të Kosovës, por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë. Si presidenti i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij dhe atë sa më shpejt është e mundur”, tha ai.

Presidenti Thaçi shtoi se FSK dhe Policia të cilat janë më të mirat në rajon, janë edhe fuqia e shtetit dhe garanca më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë, prandaj momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur.

Sipas tij, partnerët tanë strategjikë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat