Seanca solemne, Engel: Askund në botë nuk ka njerëz më miqësor ndaj SHBA-së se në Kosovë

Aktuale

Seanca solemne, Engel: Askund në botë nuk ka njerëz më miqësor ndaj SHBA-së se në Kosovë

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 12:04
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Engel ka uruar popullin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë duke thënë se po sheh përparime gjatë vizitave në Kosovë.

Ai ka kujtuar vitin 1999 dhe tragjedinë që atë kohë ndodhte në Kosovë.

“I di shkeljet e të drejtave të njeriut, presionin ,shtypjet, e di që ka pasur një dekadë të pritjes për pavarësi, por pas pritjeve e kemi arritur pavarësinë”, tha Engel.

Me tej Engel tha se askund në botë nuk ka njerëz më miqësor ndaj SHBA-së se në Kosovë.

Ai ka uruar që kosovarët do të udhëtojnë pa viza. Duke thënë se të ardhmen e Kosovës dëshiron ta shohë në BE në NATO dhe OKB.

“Urime ditëlindjen Kosovë, keni bërë një ditëlindje të mrekullueshme”, tha Engel.

Edi Rama: Kosova e Shqipëria sot janë dy realitete administrative formalisht të ndara

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij të rastit për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka thënë së tashmë më Shqipëria dhe Kosova janë dy realitete administrative formalisht të ndara.

“Por tani më si pjesë e një rrëfimi të pandashëm historik, një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe një interesi të pandashëm politik, ato tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një ndër veprim ekonomik dhe një bashkëveprim politik e institucional të vazhdueshëm në funksion të përafrimit të programit kombëtar të së ardhmes”, ka thënë Rama.

Ai më tej ka thënë se fal qëndresës heroik, Kosova arriti që të vendoset ne hartën politike të globit.

“Sot një dekadë me parë pas një rrugëtimi shekullor të mbushur me histori e rrëfime të pabesueshme qëndrese dhe sakrifica, ëndrra dhe ideale te pamposhtur për lirinë e tyre, Kosova realizoi që të vendoset në hartën politike të globit.

Veseli: UÇK me Adem Jasharin dhe Lëvizja paqësore e Ibrahim Rugovës, sinonim i lirisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për nderë të 10- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se dekada e dytë e shtetit kërkon më shumë punë e përgjegjësi.

Në këtë drejtim, ai renditi transformimin ekonomik, si angazhimin kryesor të institucioneve të vendit.

“Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik.

Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

“UÇK me Adem Jasharin dhe Lëvizja paqësore e Ibrahim Rugovës, sinonim i lirisë”

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalimin e tij për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka thënë se UÇK me Adem Jasharin dhe lëvizja paqësore me Ibrahim Rugovën, janë sinonim i pavarësisë së Kosovës.

“20 vjet më parë ishin pak nga ta që  besonin se do të mund të arrinim lirinë. Kurse dhjetë vjet më parë ishin pak ata që besonin se mund ta bënim  shtetin. Por ne ja dolëm, ja dolëm se dinim çfarë donim. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me Adem Jasharin dhe lëvizja paqësore me Ibrahim Rugovën janë sinonim të kësaj lirie”, ka thënë Veseli.

Më pas Veseli ka përmendur disa të arritura që Kosova ka arritur prej Shpalljes së Pavarësisë.

***

Në seancën solemne që po mbahet për ndër të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës po marrin pjesë shumë mysafirë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti Ilir meta, ish senatori amerikan Eliot Engel, ish presidenti kroat Stipe Mesiq, ish kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ish administratori i UNMIK-ut Bernard Kuchner, ish ambasadori i OSBE-së William Walker, ambasadorë dhe mysafirë nga shumë vende të botës po marrin pjesë në seancën solemne.

Në mesin e mysafirëve është edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Ka nisur seana solemne e Kuvendit të Kosovës. Në të po marrin pjesë Eliot Engel, rektori i UP-së Marjan Demaj, ish kryetarët e Kuvendeve Nexhat Daci dhe Jakup Krasniqi dhe shumë mysafirë tjerë.

***

Për çdo moment pritet që të fillojë seanca solemne për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Tashmë në seancë kanë arritur shumica e deputetëve dhe delegacione nga shtetet evropiane dhe SHBA-ja.

Në Kuvend janë parë të kenë hyrë Eliot Engel, rektori i UP-së Marjan Demaj, ish kryetarët e Kuvendeve Nexhat Daci dhe Jakup Krasniqi dhe shumë mysafirë tjerë.

***

Kuvendi i Kosovës po mban seancën solemne.

Seanca mbahet për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat