Albin Kurti e “thyen akullin”, e uron Kosovën për Pavarësi

Aktuale

Albin Kurti e “thyen akullin”, e uron Kosovën për Pavarësi

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 12:25
Albin Kurti

Me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, anëtarë të kryesisë e deputetë, shkuan në Prekazin heroik dhe bënë homazhe te varrezat e Jasharajve. Si rrallë herë, Albin Kurti e ka uruar Kosovën për këtë festë.

“Sot, me 17 shkurt, e gjithë Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kremtojnë dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, unë, që të gjithë i uroj për këtë festë shumë të rëndësishme për popullin, shoqërinë e për kombin tonë.

Por, njëkohësisht, neve na ndajnë më pak se tri javë nga Epopeja e UÇK-së, nga koha kur flijimi i tre brezave të Jasharajve do t’i mbushë dy dekada. Ne duhet që ta ndërlidhim çdo festë tonën shtetërore me atë që është e pazgjidhshme: me luftën çlirimtare, me kryengritjen popullore dhe me sakrificat e mëdha të popullit tonë, simbol madhështor i së cilave është pikërisht sakrifica dhe flijimi i Jasharjave.

Me 17 shkurt teksa padyshim festojmë, në të njëjtën kohë, padyshim edhe kujtojmë e përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se rrënjët e saj janë në gjakun e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit.

Ne sot jetojmë të lirë duke ju falënderuar atyre që e dhanë jetën për liri” ka thënë Kurti në urimin e tij.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat