Haxhiu: Veseli vendosi arbitrarisht e pa kuorum që seanca për demarkacion të mbahet më 18 shkurt

Aktuale

Haxhiu: Veseli vendosi arbitrarisht e pa kuorum që seanca për demarkacion të mbahet më 18 shkurt

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 19:15
Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, që ka përfaqësuar partinë e saj në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se arbitrarisht e pa kuorum Kryesia në krye me Kadri Veselin vendosi që seanca për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion të mbahet më 18 shkurt, në orën 18:00.

“Sapo ndodhi edhe një shkelje e radhës. Në mungesë të kuorumit, u vendos që të mbahet me datë 18, në orën 18:00. Kadri Veseli vendosi arbitrarisht për këtë”, ka thënë Haxhiu, pasi ka dalë nga mbledhja.

“Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi këtë qasje, kundërshtova Marrëveshjen që Kosovës i humb 8200 hektarë territor. Kërkova që t’i thërrasin mendjes, por ata e kishin thirrur këtë mbledhje vetëm për t’u tallë”, ka tha Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se aneks-marrëveshja është një tendencë për të mashtruar qytetarët e Kosovës, sepse siç ka thënë ajo nëse deputetët e Kuvendit miratojnë marrëveshjen asnjëherë Kosova nuk mund ta kthejë as Çakorrin, as Zhlebin, asnjë pëllëmbë të territorit të humbur.

“Ne kemi pasur sot mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Do ta kundërshtojmë demarkacionin, e do të veprojmë karshi situatave. Do të mblidhemi si parti për të vendosur për mjetet dhe metodat e kundërshtimit”, ka thënë ajo, teksa ka shprehur besimin se asnjë deputet i VV-së nuk ka ndryshuar qëndrim për demarkacionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat