Albin Kurti për deklaratën e Thaçit për Demarkacion: Mashtrimi nuk kalon!

Aktuale

Albin Kurti për deklaratën e Thaçit për Demarkacion: Mashtrimi nuk kalon!

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 13:48
Albin Kurti

(E plotësuar) - Sot, pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi opinionin publik lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga ai dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së saj.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse e padrejtë dhe mashtruese.

Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.

Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.

Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015,  për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.

Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.

Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.

Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.

Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshje.   

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet urgjentisht të formojë Komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë, tha Kurti në konferencën për media.

VV thërret konferencë të jashtëzakonshme (Drejtpërdrejt)

Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media, pas nënshkrimit të aneks-marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Konferenca po mbahet në selinë e VV-së.

Përndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Fillip Vujanoviq kanë nënshkruar deklaratën ku thuhet se ’Republika e Kosovës dhe Malit të Zi, pas ratifikimit, njoftojnë njëra tjetrën, që kanë përmbushur, procedurat e tyre të brendshme ligjore, përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hyrë në fuqi, do të formojnë një trup të përbashkët punues, për shënjimin e vijës kufitare. Palët pajtohen se gjatë këtij procesi, Trupi i përbashkët punues, do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas aneks marrëveshjes. Trupi i përbashkët punues, në mënyrë specifike, do të rishikojë dhe korrektojë  në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.

**

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme.

Në këtë konferencë do të flas për media i pari i kësaj partie, Albin Kurti.

Ndonëse, në njoftimin e tyre nuk përmendet tema e thirrjes së konferencës, arsyet e kësaj është marrëveshja e demarkacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat