Reagon Visar Ymeri për marrëveshjen e re për demarkacionin, e quan absurde

Aktuale

Reagon Visar Ymeri për marrëveshjen e re për demarkacionin, e quan absurde

Nga: A.M. Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 12:31
Visar Ymeri

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes së re për demarkacion ndërmjet Kosovës dhe Malit të zi.

Ymeri ka shkruar në Facebook se "rinegociimi i marrëveshjes për demarkacion është edhe hap edhe lajm i mirë. Por orari i akteve vendimmarrëse për këtë gjë është edhe i rrezikshëm, edhe i dëmshëm, edhe absurd".

Postimi i plotë:

Rendi i gjërave është i rëndësishëm. Po ta kishim rishikimin e Marrëveshjes për demarkacion para ratifikimit, deputetët do ta kishin të qartë se çka po votojnë. Dhe do të përcaktoheshin për PO se JO varësist rezultatit përfundimtar të negociimit e rishikimit, të përbrendësuar në një marrëveshje të re.

Kështu, siç po raportohet se është arritur aneks marërveshje për rishikim, gjërat mbesin të mjegullta. Që e bën votën për ratifikim në Kuvend votë bllanko. Prapë, deputetët kërkohet të votojnë për një marrëveshje formën përfundimtare të së cilës nuk ia dijnë.

Rinegociimi i marrëveshjes për demarkacion është edhe hap edhe lajm i mirë. Por orari i akteve vendimmarrëse për këtë gjë është edhe i rrezikshëm, edhe i dëmshëm, edhe absurd.

Absurd sepse nuk mund të votohet një marrëveshje e hapur, hapje kjo që vjen për shkak të rishikimit.

E dëmshme sepse mirëmban një praktikë jo institucionale e jo demokratike të votës pa informatat e nevojshme, gjë që i hap mundësi mashtrimit.

E rrezikshme sepse kështu deputetët mund të vendosin t’ia falin atë pjesë të tokës Malit të Zi, madje pa qenë të vetëdijshëm se po e bëjnë një gjë të tillë, e duke menduar që po e votojnë një marrëveshje për kufirin që e mbronë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Më 25 qershor 2015 Kuvendi pati votuar një Rezolutë në të cilën kërkohej, mes tjerash, që:

2. Kuvendit dhe komisioneve përgjegjëse t’u dorëzohen me shkrim: dosja, hartat dhe analizat lidhur me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

4. Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë - Mali i Zi.

Komisioni Bulliqi ka konstatuar se komisioni pararendës shtetëror kishte tejkaluar kompetencat për të cilat ishte mandatuar. Qeveria aktuale është dashur që ta konstatoj këtë institucionalisht para çfarëdo veprimi tjetër për demarkacionin. Po ashtu, në raportin e tyre, Komisioni aktual shtetëror ngrejnë dyshime për falsifikim dokumentesh e hartash në procesin e negociimit të shënjimit të vijës kufitare. Këto janë vërejtje dhe shqetësime serioze të cilat nuk mund të tejkalohen me kaq lehtësi. Përgjegjësia penale, politike e institucionale nuk vjetërohet e tejkalohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat