Mirkoviq: Veriu i Mitrovicës, pjesë e kriminalizuar ku e dija se do të ketë viktimë

Aktuale

Mirkoviq: Veriu i Mitrovicës, pjesë e kriminalizuar ku e dija se do të ketë viktimë

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 14:08
Sasha Mirkoviq

Kam parandjerë që do të ketë viktima në veri të Mitrovicës, në këtë pjesë të kriminalizuar të Kosovës, e cila është fuqishëm e lidhur ngushtë me Beogradin, sepse shumica e tyre janë në SNS. Edhe Oliveri këtë e ka parandjerë, prandaj pati thënë se “ka mbetur vetëm edhe të më vrasin”. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq mi ka borxh 600.000 euro. Kurse, në Serbi jetohet më keq se ndonjëherë më parë dhe mentorët e Vuçiqit tentuan të më vrasin mua dhe familjen time, jam i rrezikuar”. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për Kp, ish-deputeti i Parlamentit të Serbisë, Sasha Mirkoviq, i cili ka shpalosur qëndrimet e tij rreth gjendjes së përgjithshme aktuale në Serbi dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.

Ai foli për qasjen e gabuar të Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës, përmirësimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, ndikimin rus, vrasjen e Oliver Ivanoviqit, si dhe për atentatin ndaj tij nga ana e pushtetit aktual në Serbi.

Mirkoviq, dikur zëvendësministër i Transportit në Serbi, kryetar i komunës së Zajeçarit, menaxher i suksesshëm, njeriu që i solli fitoren Serbisë në Euro Song më 2007, aktualisht lider i Lëvizjes ‘Cela Srbija’, thotë se është nacionalist, por jo edhe shovenist, derisa flet edhe për raportet me Presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Mirkoviq: Vuçiq është autokrat

“Nuk është sekret, unë kam hyrë në politikë dhe me presidentin e sotëm të Serbisë kam qenë shok për më shumë se 15 vite ... Aktualisht nuk kam kurrfarë raportesh me Vuçiqin. Ekziston një padi nga ana ime kundër tij për një shumë parash të cilat m’i ka huazuar në vitin 2014 për fushatë. Bëhet fjalë për 600 mijë euro, dhe i ka kthyer vetëm një pjesë të tyre, 532 mijë euro kurrë nuk i ka kthyer, për këtë ekziston padia kundër tij, do të thotë ekziston padia ime kundër tij për mashtrim, dhe ai thjeshtë nuk ka mundur ta përballojë largimin tim nga SNS-ja…Jemi takuar 14 herë për të biseduar, unë nuk kam pranuar t’i nënshtrohem kërkesave të tij, kam kërkuar që të më kthehet ajo që është e imja dhe kështu bukvalisht jemi ndarë diku para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Pas kësaj fillojnë maltretimet edhe ndaj familjes time, miqve të mijë të cilët largohen dhunshëm, arrestimet dhe maltretimet nà « paraburgim ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me mua, qoftë privatisht apo zyrtarisht. Thjeshtë ai është njeri i tillë, autokrat, dhe në këtë formë ka dashur të dëshmojë para të tjerëve se çka i pret nëse provojnë të largohen nga SNS-ja”, tha ai.

Mirkoviq ka kujtuar edhe tentimin për atentat ndaj tij dhe familjes së vet.

Mirkoviq: Mentorët e Vuçiqit tentuan të më vrasin

“Për tentim të atentatit ndaj meje dhe familjes time me bombë në shtëpinë time më 2012 akuzoj drejtpërdrejt mentorët e Vuçiqit, Boshko Niçiçin kryetarin e komunës së Zajeçarit dhe anëtarin e dikurshëm të kryesisë së G17 plus, si dhe Ivica Kojiq, shefin e kabinetit të Aleksandar Vuçiqit. Për këtë ekziston padia në Gjykatë, ndërsa hetimet nuk nisën kurrë”, tha ai.

Ai as sot nuk ndjehet i sigurtë.

Mirkoviq: Nuk ndjehem i sigurtë

“Nuk ndjehem i sigurtë, as unë dhe as familja ime dhe askush nga rrethi im nuk ndjehet i sigurtë, sepse çdo moment mund të ndodhë që dikë ta kidnapojnë, rrahin, mos dhashtë Zoti etj etj…sepse truri i tyre nuk kupton se edhe dikush nga pala tjetër ka për të shprehur mendimin e vet. Unë gjuhën e dhunës nuk e njoh dhe nuk dua ta kuptoj, gjithmonë kam pasur qasje demokratike ndaj çdo gjëje dhe nuk i dua njerëzit të cilët më kufizojnë në mendimin tim”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket veriut të Mitrovicës, thotë se ka një parandjenjë se do të ketë viktima.

Mirkoviq: Njerëz të Beogradit të përzier në vrasjen e Oliverit

“Më besoni se kam parandjerë që do të ketë viktimë në këtë pjesë të kriminalizuar të Kosovës e cila është fuqishëm e lidhur ngushtë me Beogradin, sepse shumica e tyre janë në SNS, në Bordin Ekzekutiv të SNS-së, zhvillojnë bisedime etj. fundja janë të lidhur edhe Listën serbe. Edhe Oliveri këtë e ka parandjerë, prandaj pati thënë në një intervistë pak ditë para ngjarjes, në të cilën tha “ka mbetur vetëm edhe të më vrajnë… Unë mendoj se njerëz nga Beogradi janë sigurisht të përzier në diçka të tillë… për diçka jam shumë i sigurt se shqiptarët nuk e kanë vrarë, pastaj kanë arritur menjëherë kërcënimet nga Zoran Millojeviq-Zela, i cili i ka thënë për një mikut tim që të kem kujdes se mos po më godet ndonjë plumb edhe mua sikurse Oliverin… Pavarësisht se flitet për një demokraci në Serbi nëpër media, shtete të huaje etj, në Serbi jetohet më keq se ndonjëherë më parë, sa kriminelë shëtitën në Serbi të cilët janë të lidhur me pushtetin”, tha ai.

Por Mirkoviq flet edhe për Listën serbe.

Mirkoviq: Çka janë njerëzit tjerë të cilët nuk janë nga Lista serbe

“Çka janë njerëzit tjerë të cilët nuk janë nga Lista serbe, janë tradhtarë, sikurse Oliver Ivanoviq, apo ndoshta edhe unë që kam dhënë intervistë për juve duhet të marr plumb në ballë, ku është dallimi që ai i Listës serbe nuk është tradhtar, ndërsa Oliver Ivanoviq po…  E keqja më e madhe është t’i ndajmë njerëzit, dhe t’i kërcënojmë njerëzit se do ta humbin punën dhe ngjashëm nëse nuk e mbështesin Listën serbe. Përkundrazi, duhet njerëzit t’i lejojmë që të organizohen vetë, se a do të quhet Lista serbe, Uniteti serb, ose Nisma Demokratike serbe”, tha Mirkoviq.

Mirkoviq thekson se serbët e Kosovës për çështjen e tyre duhet të vendosin mes vete dhe pa ndërmjetësimin e Beogradit dhe të Brukselit.

Mirkoviq: Serbët e Kosovës duhet të vendosin mes vete

“Mendoj se serbët e Kosovës për çështjen e tyre duhet të ulen në tavolinë dhe të vendosin mes vete pa ndërmjetësimin e Beogradit dhe të Brukselit, ndërsa për një gjë të tillë iu nevojiten gjysmë ore… Mendoj se mungon vullneti politik i Beogradit dhe se njerëzit të cilët udhëheqin sot në Beograd nuk janë të sinqertë me fqinjët e tyre as nga ana e djathtë dhe as nga e majtë”, tha Mirkoviq.

Ai flet edhe për trenin serb.

Mirkoviq: Ajo ngjarje ka qenë një manipulim politik

“Ju kujtohet treni serb, unë atë kohë kam qenë në Kosovë dhe kam dërguar mesazhin se nuk duhet që ushtria dhe policia serbe t’i sjellë njerëzit në Kosovë sepse unë kam ardhur vetë në Kosovë dhe për këtë nuk më është dashur as policia dhe as ushtria serbe...”, tha Mirkoviq.

Nuk i konteston marrëdhëniet tradicionale me Rusinë por thotë se Serbia duhet të kthehet bashkëpunimit strategjik me SHBA-të.

Mirkoviq: T’i shmangemi lindjes

“Ballkani për të mos qenë fole baruti kurrë, duhet t’i shmanget Lindjes dhe kjo është esenca e gjithë asaj që dua të them”, tha ai.

Ai ka shtuar se nuk e njeh Millan Radojçiqin, por ka informacion se është njeri i besueshëm i Aleksandër Vuçiqit, siç është edhe Zvonko Veselinoviq, derisa për Bratisllav Gashiq, thotë se nuk ka merituar të jetë asgjë më shumë se sa një kryetar i Krushecit, ku pati qenë si një lider lokal, por sipas tij, Vuçiq ka vendosur në pozita të rëndësishme shtetërore të dëgjuarit politikë, dhe jo njerëz me integritet të cilët e njohin punën.

Në fund thekson se është për normalizimin e raporteve në mënyrë që të shëtisim lirshëm rrugëve të Beogradit, Prishtinës dhe gjithë qyteteve tjera, pavarësisht ngjyrës së njerëzve, besimit të tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat