Kosova i kërkon Italisë ndihmë për anëtarësim në INTERPOL

Aktuale

Kosova i kërkon Italisë ndihmë për anëtarësim në INTERPOL

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 11:18
Xhemajlaj, sipas njoftimit, ka falënderuar mikpritësit italianë, veçanërisht karabinierët

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ndodhet për vizitë në Republikën e Italisë. Përmes një njoftimi për media, kjo ministri bën të ditur se ai me këtë rast ka takuar drejtorin e Policisë Kufitare në Bari, Giovani Cassavola. Xhemajlaj, sipas njoftimit, ka falënderuar mikpritësit italianë, veçanërisht karabinierët, për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për institucionet e sigurisë në Kosovë.

Në këtë takim u bisedua rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të dy policive, veçanërisht në fushën e trajnimeve, shkëmbimin e përvojave, me theks të veçantë në menaxhimin e kufijve.

Zëvendësministri Xhemajlaj kërkoi ndihmën e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Ndërsa Cassavola u shpreh i gatshëm që do shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën që në qytetin e Barit, Republika e Kosovës të ketë konsullin e vet meqë në këtë qytet udhëtojnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kjo do të ishte në interes të dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat