Si u vra biznesmeni nga Peja pak ditë pasi refuzoi të jepte 500 mijë euro haraç truprojës së Haradinajt - Bota Sot
Si u vra biznesmeni nga Peja pak ditë pasi refuzoi të jepte 500 mijë euro haraç truprojës së Haradinajt

Aktuale

E mërkurë, 15 gusht 2018

Si u vra biznesmeni nga Peja pak ditë pasi refuzoi të jepte 500 mijë euro haraç truprojës së Haradinajt

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 16:29
Biznesmeni Salih Kastrati

Biznesmeni Salih Kastrati, sot mund të ishte i gjallë nëse do t’u nënshtrohej kërkesave të grupeve më të fuqishme kriminale në Pejë. Ai u kishte mbijetuar katër atentateve. Në të pestin kishte vdekur, pak ditë pasi gjashtë burra, të lidhur me Policinë dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj, kishin kërkuar nga Kastrati gjysmë milioni euro. Mes këtyre haraçvënësve ishte edhe Selman Gashi, asokohe truproje i Haradinajt. Paratë i kishin kërkuar në emër të Tahir Dacit. Kastrati kishte refuzuar të jepte këtë shumë parash. Pak ditë më vonë ishte vrarë. Insajderi sjell video dhe biseda ekskluzive që dëshmojnë se si Kastrati ishte mbërthyer nga njerëz të fuqishëm.

Pak ditë pasi biznesmeni pejan i arit, Salih Kastrati, kishte refuzuar t’u jepte 500 mijë euro disa personave, një bombë kishte shpërthyer para shtëpisë së tij në Pejë.

Plagë të rënda vdekjeprurëse kishte marrë biznesmeni i njohur me emrin Salih Dukati.

Kastrati ishte plagosur para shtëpisë së tij në rrugën “Mbreti Bardhyl”, më 15 mars 2012, pas kthimit nga gjykata. Atë ditë ai ishte dënuar më gjobë prej 800 eurosh për armëmbajtje. Kishte shtënë në ajër gjatë një sulmi kundër tij ku kishte mbetur i plagosur.

Kastrati kishte arritur të jetonte në koma vetëm një muaj në Qendrën Klinike Universitare. Kishte vdekur në moshën 63 vjeçare.

Asokohe Selman Gashi, një haraçvënës, punonte si truproje e kryeministrit Haradinaj. Ai është një nga të dënuarit për rrëmbimin e biznesmenit, Azem Morina.

Gashi, së bashku me Rrustem Idrizin, Mentor Sanajën, Alban Dizdarin, Zekë Krasniqin dhe Sylë Krasniqin e donin këtë shumë parash për ta mbyllur përfundimisht një kontest të hapur pronësor me Tahir Dacin.

Insajderi ka siguruar videoincizime nga ky takim i zhvilluar në shtëpinë e Kastratit në Pejë. Aty dëgjohen biseda me tone kërcënuese.

Përmendet edhe Ramush Haradinaj e Qerim Kelmendi.

Përmendet po ashtu hetuesi i krimeve të rënda në Policinë e Pejës, Ragip Bytyqi. Grupi thirrej po ashtu në emër të një personi të quajtur Memli Pajaziti. Ata flasin për Bedri Krasniqin, një kriminel i dënuar për vrasjen e dy policëve, i dënuar për rrëmbimin e biznesmenit, Azem Morina dhe së fundi i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e dy policëve tjerë, së bashku me Shkumbin Mehmetin.

Kastrati ishte pajtuar që t’ua jepte 250 mijë euro nëpërmjet bankës. Oferta ishte refuzuar. Donin fiks gjysmë milioni euro para në dorë. Muhabeti kishte përfunduar pa marrëveshje. 12 ditë më vonë kishte shpërthyer bomba para shtëpisë në të cilën kishte ndodhur diskutimi. Viktimë kishte mbetur refuzuesi i dhënies së parave.

Në këtë takim më së shumti me tone kërcënuese kishte folur Rrustem Idrizi. Por, Kastrati nuk lëshonte pe. Ai thoshte se Tahir Daci nuk do të mund t’i merrte 5 ari nga parcela prej 11 ari truall në qendër të Pejës.

Trualli për të cilin Kastrati kishte probleme të shumta, mes të cilave edhe pesë sulme me armë dhe eksploziv, sot e asaj dite mbetet zonë e shkretë.

Kastrati ka qenë biznesmeni më i njohur i arit para luftës. Me t’u kryer lufta, atij kishin filluar t’i kërkonin haraç. Kjo e kishte përcjellë për 12 vjet rresht, derisa biznesi ishte shkatërruar dhe në fund ishte vrarë.

Image

Sulmet kundër Kastratit kishin nisur në vitin 2011. Më 14 janar të 2011-ës ishte plagosur lehtë. Rasti është i hapur në Prokurori. Askush nuk është arrestuar deri tash.

Më 18 gusht 2011, Kastrati kishte shpëtuar nga një tentim-vrasje. Askush nuk është arrestuar dhe nuk është dënuar.

Më 16 janar 2012, në shtëpinë e Kastratit ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.

Rreth një muaj më vonë – më 20 shkurt, Kastrati ishte sulmuar me granatë dore. Kishte shpëtuar pa lëndime.

Sulmit të fundit në mars 2012, ai nuk mundi t’i mbijetojë. Memli Pajaziti nga Gjakova ishte arrestuar si i dyshuar për këtë sulm.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Selvana Bukleta ka treguar historinë e hetimeve dhe lirimin nga akuza të të dyshuarit. Ajo ka thënë se ish-Prokuroria e Qarkut në Pejë kishte filluar hetimet kundër të pandehurit Memli Pajaziti më 21 mars 2012 për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll, posedim a shfrytëzim të paautorizuar të armës’.

Pajaziti ishte mbajtur në paraburgim nga 20 marsi 2012 deri më 18 qershor 2012 kur i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me paraqitjes në stacionin policor deri më datë 19 shtator 2012.

“Prokuroria me datë 20 shtator 2012 i ka bërë kërkesë gjykatës për vazhdimin e hetimit edhe për tre muaj, me ç’rast gjykata e ka aprovuar kërkesën dhe ka marr aktvendim për vazhdimin e hetimeve edhe për tre muaj”, ka sqaruar ajo.

Por, më 20 dhjetor 2012 Prokuroria kishte njoftuar gjykatën se ndaj Memli Pajazitit kanë pushuar hetimet.

“Nuk ka pasur aktakuzë të ngritur për Memli Pajazitin për rastin në fjalë”, ka thënë Bukleta.

Asnjë i dyshuar tjetër nuk është arrestuar apo gjykuar.

Familja Kastrati konfliktin më të hapur e kishte me Tahir Dacin dhe Hyrije Ramën. Sipas familjes Kastrati, këta dy persona me dokumente false ia kishin bllokuar pronën duke mos lejuar ndërtimin e një qendre të madhe tregtare.

“Ndërtimi është ndërprerë për shkak të kërcënimeve”, thotë Besarta Harxhi, vajza e Salih Kastratit në një rrëfim për Insajderin të dhënë në Burgun e Lipjanit, ku po vuan një dënim prej 25 vjetësh burgim për vrasjen e Fidan Shabit, të cilin thotë se nuk e ka vrarë ajo, por dikush tjetër.

Djali i Salih Kastratit, Kastrioti kishte rrëfyer për Gazetën Jeta në Kosovë historinë me Dacin dhe Ramën. Ai kishte thënë se i ati i tij kishte lënë peng dyqanin “Te Salihi” derisa t’ia kthente Tahir Dacit 195 mijë euro që ia kishte marrë borxh.

Sipas tij, afatin e kthimit të parave e kishte pas 3 muajsh. Kastrioti ka thënë se babai i tij kishte shkuar te Tahir Daci pas dy muajsh për t’ia kthyer paratë, mirëpo ia kishte kërkuar 500,000 euro, me arsyetimin se borxhliu e kishte shkelur afatin e kthimit. Diferenca ishte kamatë.

“Madje e kishte kërcënuar me kokën e tij dhe timen nëse paratë nuk ia sjell”, kishte thënë Kastrioti.

Pikërisht këtë shumë parash Selman Gashi, Rrustem Idrizi, Mentor Sanaja, Alban Dizdari, Zekë Krasniqi dhe Sylë Krasniqi kishin shkuar ta kërkonin nga Salih Kastrati.

Kastrati dëshironte që t’ua jepte 250 mijë euro, ofertë e cila ishte refuzuar nga ky grup, siç dëshmohet në këtë videoincizim.

Biznesmeni Tahir Daci kishte thënë se ai e kishte blerë dyqanin “Te Salihi” dhe kishte mohuar akuzat për kërcënim. Ai kishte thënë se pas luftës kishte blerë 5 ari tokë së bashku me Hajrie Ramën në qendër të qytetit, tek “Korzo”.

Në vitin 2010, Daci ka thënë se së bashku me Hyrije Ramën kishte bërë ndërrim të parcelës me komunën e Pejës. Sipas tij, ata të dy dhe Salih Kastrati ishin të gjithë hisedarë të parcelës prej 11.20 ari – ku ky i fundit ëndërronte ta bënte qendrën e tij tregtare.

“Nuk e di çfarë bëri Salih Kastrati me dokumentacion, por ai e kishte vënë tërë pronën në emrin e tij pa dijeninë tonë”, kishte thënë Hajrie Rama, në anën tjetër, për gazetën Jeta në Kosovë. Për këtë arsye ajo dhe Daci kishin ngritur një padi civile në gjykatën e Pejës për “pengim të posedimit” të pronës nga Salih Kastrati.

“Për më shumë, familja Kastrati neve na i ka borxh diku 500 mijë euro”, kishte thënë ndërkohë Tahir Daci. “Ai manipuloi me shumë njerëz duke u marrë para për ndërtimin e kësaj qendre të madhe dhe duke mos ua kthyer më e duke mos iu përmbajtur zotimeve”.

Kastriot Kastrati, djali i të ndjerit pretendonte se Daci dhe Rama i kishin kërkuar babait të tij 1.5 milion euro që t’i heqin pengesat gjyqësore që i kishin vënë ndaj tij lidhur me pronën përballë shtëpisë së mallrave më 2010./insajderi

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test