Kadaj Bujupi: Pretendimet për AKI-në do të marrin epilog

Aktuale

Kadaj Bujupi: Pretendimet për AKI-në do të marrin epilog

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 15:44
Driton Gashi, Donika Kadaj-Bujupi, Ganimete Musliu dhe Haxhi Shala

Pretendimet për veprime jo profesionale dhe jo ligjore në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë bërë që drejtori i AKI-së Driton Gashi dhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së Shkelzen Sopjani të raportojnë në Komisionin për Mbikëqyrje të AKI-së.

Pas më shumë se tri orë takim, kryetarja e këtij komisioni Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se të gjitha pretendimet do të marrin epilog, ndërkohë ka bërë të ditur se me zyrtarët e AKI-së kanë diskutuar për të gjitha pretendimet një për një.

Kadaj: Rëndësia e këtij  institucioni është mbi të gjitha

“Siç po e shihni takimet tona me zyrtarë të lartë të AKI-së i kemi shumë të shpeshta, madje përtej asaj se siç parashihet me ligj, sepse punën tonë e kemi marrë seriozisht dhe po angazhohemi që të gjitha pretendimet nga e kaluara. Pra, bëhet fjalë për zyrtarë që tani janë në detyrë, por edhe për ish zyrtarë, do të thotë të cilët tani më nuk janë as në AKI dhe as në pozita të larta. Po megjithatë ekzistojnë pretendime të caktuara se në kohën sa ishin mund të jenë përfshirë në veprime jo profesionale dhe jo ligjore të sqarohen deri në fund në mënyrë që siç e thash të mbrohet institucioni. Pra, pavarësisht emrave dhe mbiemrave të cilët sot janë ose kanë qenë në të kaluarën për neve rëndësia e këtij  institucioni është mbi të gjitha dhe angazhimet tona si deputet do të jenë në favor të kësaj”, tha ajo.

Sipas Kadaj Bujupit, angazhimi i tyre në njërën anë do të jetë që të përkrahin ngritjen profesionale të kapaciteteve aty, performacën sa më të lartë dhe të mirëfilltë të institucionit në fjalë, por në anën tjetër edhe të angazhohen atëherë kur ka shqetësime për shkelje eventuale të të drejtave të njeriut brenda institucionit.

Ajo nuk ka bërë të ditur nëse ato pretendime janë mohuar apo pohuar nga ana e drejtorit të AKI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Image

Kadaj: Ne kemi mundësi që të ngrisim edhe komision parlamentar

“Unë në këtë fazë nuk mund të ju jap informata për përgjigjet të cilat i kemi marrë, shumë shpejt si komision do të vazhdojmë punën dhe angazhimin tonë. Ju e dini që sipas nenit 37 të ligjit për AKI-në ne kemi mundësi që të ngrisim edhe komision parlamentar. Ende nuk jemi në atë fazë, mirëpo jemi në shqyrtim e sipër në mënyrë që të marrim të gjitha përgjigjet e nevojshme për të parë se cili do të jetë angazhimi jonë më tutje konform mandatit që kemi. Ju njoftoj se nëse bëhet fjalë për çfarë do shkelje të të drejtave të njeriut ose çfarë do shkelje tjetër do të njoftoheni edhe si opinion edhe si gazetarë. Në anën tjetër ne nuk do të ndalemi së rreshturi duke kërkuar vazhdimisht që të gjitha këto pretendime të sqarohen në mënyrë që edhe imazhi, por edhe AKI si institucion të mbrohen dhe të jenë në nivelin e duhur të punës dhe të përformancës”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së gjithashtu ka thënë se do të angazhohen edhe me zyrën e kryeministrit, të presidentit dhe të kryeparlamentarit që të kuptohet e vërteta, por duke mos ndërhyrë në punën e prokurorisë.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së prokurorisë drejtuar komisionit për të ju dhënë dokumente në këtë rast, ajo tha se janë të hapur për të gjitha çështjet që lidhen me punën e tyre.

Kadaj: Ne jemi të hapur për të gjitha çështjet që lidhen me punën tonë

“I kemi kthyer përgjigje që ne jemi të hapur për të gjitha çështjet që lidhen me punën tonë, me angazhimin tonë, me mbikëqyrjen që i bëjmë AKI-së. Ju e dini se ne tani jemi në mandat të ri dhe të gjitha këto pretendime bëhet do të thotë ose janë çështje të cilat ndërlidhen me mandatin e kaluar. Prandaj, për sa na përket neve, këtij komisioni në këtë mandat dhe unë si kryetare jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me prokurorinë deri në informatën e fundit dhe dokumentin e fundit”, shtoi ajo.

Në këtë takim sipas kryetares Kadaj-Bujupi është trajtuar edhe gjendja e sigurisë në prag të festimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por që ajo tha se kjo nuk ka qenë tema kryesore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat