“Profili i liderëve politikë”, ngecin njohjet për Kosovën!

Aktuale

“Profili i liderëve politikë”, ngecin njohjet për Kosovën!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 shkurt 2018 Në ora: 07:19

Ka kohë që ka stagnuar numri i njohjeve të shtetit të Kosovës. Në vend se ato të shtoheshin, kohët e fundit më tepër po diskutohet për tërheqjen e njohjeve, falë lobimit që po bën Serbia.

Edhe në kohën kur Presidenti Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme, Kosova ishte varfëruar nga njohjet, për shkak të mos lobimit të duhur të tij,  ndërsa e njëjta po vazhdon edhe sot. Edhe tash kur ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë Haradinaj është Behgjet Pacolli, Kosova po vazhdon rrugën e njëjtë sa i përket njohjeve.

Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje pse ka ngecur Kosova në fushën e njohjeve.

MPJ, pjesë e pazareve politike

Image
Mentor Tahiri

Megjithatë, politologu dhe profesori i politikës ndërkombëtare, Mentor Tahiri thotë se Kosova ka arritur një numër të njohjeve të shtetësisë së saj, në përputhje me rreshtimet e sotme gjeopolitike që shtetet kanë.

“Me pak përjashtime, shtetet të cilat kanë njohur Kosovën, janë shtetet të rreshtuara kah perëndimi. Por, Kosova ka mund të bëjë më shumë kur bëhet fjalë për shtete të cilat në përplasjen e madhe amerikano-ruse në botë, kanë qëndrim neutral. Këtu nuk është ditur të dallohen mjaftueshëm hapësirat për veprim diplomatic”, thekson Tahiri.

Ai e përmend edhe faktin pse po ndodhë ngecja e njohjeve për shtetin e Kosovës. Tahiri thotë se kjo po ndodhë për shkakun se MPJ-ja po trajtohet si pjesë e pazareve politike.

“Problemi më i madh në këtë drejtim është fakti se MPJ ashtu edhe Shërbimi Diplomatik, po trajtohen si pjesë përbërëse e pazareve politike dhe po shërbejnë si asete për të sistemuar kompromise politike dhe individuale. Fatkeqësisht akterët kryesor politik në vend nuk kanë arritur të kuptojnë rëndësinë jetike që MPJ dhe Shërbimi Diplomatik kanë në fazën në të cilën gjendet vendi në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë, kurse kjo reflekton edhe në dinamikën e njohjeve”, thekson politologu Tahiri.

Haziri tregon shkaqet

Ndërka, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri ka përmendur disa shkaqe për të cilat kanë stagnuar njohjet për shtetin e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Së pari ka ndikuar profili i politikanëve të Kosovës, bartës të institucioneve më të larta të vendit, si presidenti, kryeministri, kryeparlamentari të cilët nuk kanë një kredibilitet në rrafshin ndërkombëtar për ta përfaqësuar Kosovën. Po  ashtu edhe skandalet që prodhoi qeverisia e tyre, izolimi nga faktori ndërkombëtar. Krimi dhe korrupsoni kanë ndikuar që Kosova në rrafshin ndërkombëtar të mos shihet një shtet me prespektivë demokratike. Këtu mund të flasim edhe për një diplomaci të dobët që ka Kosova, pasi në krye të sajë kemi një biznismen që lë shumë për të dëshiruar në atë që ai e koncepton se çfarë do të thotë të jesh kryediplomat i një shteti”, vlerëson Haziri.

Ndër të tjera si shkak tjetër e përmend edhe emërimin e ambasadorëve të Kosovës nëpër shtetet tjera.

“Po ashtu edhe në ambasada të Kosovës, kemi ambasador që këtë post e gëzojnë falë lidhjeve partiake, nepotizmit, servilitetit, e jo në bazë të meritokracisë”, thotë ai.

Sipas tij janë edhe një sërë faktorësh tjerë që kanë ndikuar në stagnimin e njohjeve për Kosovën.

“Në fund duhet të themi se edhe këtë numër të njohjeve të shtetit të Kosovës, është falë mbështetjes së fuqishme dhe të kontributit të shteteve mike të Kosovës siç janë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, e të tjera”, përfundon Haziri.

Gara për merita

Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve politike, Skender Zogaj thotë se përderisa në fillim të pavarësimit të Kosovës, liderët politikë bënin gara për marrjen e meritave për njohjen e Kosovës, kjo i dha një imazh të keq shtetit të sapo pavarësuar.

Image
Skender Zogaj

“Stagnimi i njohjeve të shtetit të Kosovës nuk është i ri sepse, pas fushatës së madhe njohëse në fazën menjëherë pas  shpalljes së pavarësisë, pasoi gara e mburrjeve për  marrjen e meritave nga ana e liderëve partiakë e shtetëror, e cila dha shembullin e shëmtuar që dëmtoi imazhin e mirë të Kosovës”, vlerëson ai.

Sipas Zogajt, ka vite që nuk ka njohje dhe nuk mund te krijojmë fajtor të rinj, kur dihet se ku qëndron faji dhe kush janë fajtorët!

“Stafi i diplomatëve partiak është gjithashtu arsye e fortë që disa vende të krjojnë arsye që të hezitojnë në njohjen e Kosovës”, përfundon analisti Zogaj për gazetën “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat