Si u la i lirë nga Gjykata shqiptari nga Kosova që u vra në Siri Betim Ibrahimaj (Dokumente)

Aktuale

Si u la i lirë nga Gjykata shqiptari nga Kosova që u vra në Siri Betim Ibrahimaj (Dokumente)

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 00:39
Foto ilustrim

Betim Ibrahimajt nuk i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit 2015, edhe pse prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

I riu nga Istogu, i cili është vrarë në Siri brenda zonave të kontrolluara nga i ashtuquajturi Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut (ISIS), ishte arrestuar në vitin 2015 nga Policia e Kosovës së bashku me pesë persona të tjerë nën dyshimin për terrorizëm.

Pesë nga të arrestuarit e grupit – që më vonë u njoh si”Grupi i Badovcit” – u dënuan me 49 vjet burg gjithsej nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Por, vetëm Betim Ibrahimaj nuk u dënua asnjëherë, edhe pse kishte pranuar në deklaratën e tij për Policinë e Kosovës, se kishte qenë pjesë e luftës në Siri dhe Irak edhe më parë gjatë viteve 2013 – 2015, raporton Insajderi.

Kështu dëshmon aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës kundrejt “Grupit të Badovcit”, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Ibrahimaj. Ai dyshohej për veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në Grupe Terroriste” dhe “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë se Republikës së Kosovës”.

“Pasi që Drejtoria kundër terrorizmit ka zbuluar se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një person tjetër, PSRK ka marrë Aktvendim për zgjerimin e hetimit PPS nr. 48/2015 të datës 30.09.2015, ndaj të pandehurit Betim Ibrahimaj për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 4 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 135 par. 1 nën par. 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 4 dhjetor të vitit 2015.

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Ibrahimajt masën e arrestit shtëpiak.

“I pandehuri Betim Ibrahimaj për ndryshe gjendet në arrest shtëpiak sipas lëndës së PSRK-së, PPS nr. 25/2015 për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste nga neni 143 par.2 të KPRK”, shkruhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria.

Por, masa e arrestit shtëpiak të vendosur nga Gjykata ndaj tij, i kishte mundësuar Ibrahimajt që t’i bashkohej sërish ISIS-it, ku qëndroi edhe rreth një vit e gjysmë para se të vdiste në zonat e luftës në Siri.

Në korrik të vitit 2016, pesë të akuzuarit në këtë rast: Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi u shpallën fajtor.

Ata u gjetën fajtor se në bashkëkryerje kanë frikësuar popullatën si dhe kanë përgatitur veprën terroriste me ikonografinë e ISIS-it për të dëshmuar besnikërinë dhe shtrirjen e tyre edhe në Kosovë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat