Azem Syla mund të kontrollohet nga një mjek ndërkombëtar

Aktuale

Azem Syla mund të kontrollohet nga një mjek ndërkombëtar

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 11:33
Azem Syla

Teksa shtyu përfundimisht seancën ndaj Azem Sylës dhe 21 personave tjerë në Rastin “Toka” për mungesën për shkaqe shëndetësore të Sylës, kryetari i trupit gjykues Petko Petkov paralajmëroi mundësinë që i akuzuari që mungoi të kontrollohet nga një mjek ndërkombëtar.

“Sot më vonë do të ndërmarrim hapa të mëtejmë sa i përket gjendjes shëndetësore të zotit Syla, psh të shikojmë nëse gjendja e tij e shëndetësore është e përshtatshme ne kushtet e paraburgimit apo të ketë mundësi të kontrollohet nga ndonjë mjek ndërkombëtar”, tha Petkov.

Ai tregoi se dokumentacioni mjekësor i Sylës është pranuar dhe përkthyer nga gjykata.

“Seanca do të shtyhet. Ne tashmë e kemi pranuar dhe përkthyer dokumentacionin mjekësor për të paraburgosurin në fjalë”, tha Petkov.

Gjykata gjithashtu sot mori vendim që ta kufizojë xhirimin, fotografimin e incizimin vetëm në 15 minutat e parë të seancave.

Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat