Shtyhet gjykimi ndaj Fisnik Ismailit

Aktuale

Shtyhet gjykimi ndaj Fisnik Ismailit

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 13:09
Fisnik Ismaili

Është shtyrë gjykimi për gazin lotsjellës ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Fisnik Ismali, i paraparë të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shtyrjen e kësaj seance, e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli.

Sipas gjykatësit Ismajli, avokati Betim Shala, mbrojtës i të akuzuarit Ismaili, ka bërë kërkesë për shtyrjen e kësaj seance për një ditë tjetër, mirëpo, i njëjti nuk tregoi arsyet e kërkesës së avokatit.

Ndërkaq, avokati Shala, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se kishte kërkuar shtyrjen e seancën ndaj deputetit Ismaili, për arsye se në të njëjtën kohë kishte një seancë tjetër të caktuar më herët.

Ndërsa, seanca e radhës nuk është caktuar ende.

Ndryshe, më 13 nëntor të vitit 2017, Ismaili ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohet nga prokuroria.

Ndërsa, në dhjetor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Ismailit duke hudhur poshtë kërkesën e avokatit Betim Shala, për hudhje të aktakuzës.

Kundër vendimit të Themelores, mbrojtja kishte paraqitur ankesë në Apel, me të cilën kërkonte që të hudhet poshtë aktakuza ndaj deputetit Ismaili.

Apeli në janar të këtij viti, kishte refuzuar kërkesën e avokatit Shala për hudhjen e aktakuzës, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe se kishte vërtetuar se ekzistonin prova të mjaftueshme dhe të pranueshme në aspektin ligjor-procedural.

Fisnik Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ismaili, gjithashtu akuzohet se më 17 nëntor 2015, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, në momentin kur policët kishin tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i akuzuari Ismaili afrohet me deputetet e tjerë në mes dhe pamundëson shoqërimin e tij në polici.

Ndërkohë, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat edhe të mbrojtësve të deputetëve Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte konfirmuar aktakuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi si dhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, akuzohen për veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në bazë të këtij aktvendimi, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes e cila kishte kërkuar që aktakuza e prokurorisë të hudhet poshtë si e pabazuar.

Sipas Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë arsyetime të mjaftueshme e të cilat kanë mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprat e njëjta penale, më 3 janar 2018,  ka shpallur fajtorë deputetet Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët i kishte dënuar me burgim me kusht.

Për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, akuzohen edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe deputetët Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, dhe Teuta Haxhiu.

Këto veprime ata i kanë bërë gjatë vitit 2015, me rastin e kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi si dhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Të akuzuarit ishin pjesë e bllokut opozitar Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, derisa ekzekutivi udhëhiqej nga PDK-ja dhe LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat