Tahiri: Dinjiteti, respekti dhe të drejtat e grave janë të pa alternativë

Aktuale

Tahiri: Dinjiteti, respekti dhe të drejtat e grave janë të pa alternativë

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 12:54
Abelard Tahiri

Progresi drejt barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave është i pashmangshëm. Këtë gjë e ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një status në Facebook, pasi ka takuar përfaqësueset e Agjencionit të Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, UN Women, Linda Sanaja dhe Vlora Nushi.

Megjithatë, ministri Tahiri ka theksuar se ky progres nuk ndodhë vetvetiu. "Ai është rezultat i punës së palodhshme të institucioneve dhe partnerëve zhvillimor, shoqërisë civile dhe entiteteve që në mënyrë të veçantë ndihmojnë në këtë drejtim. Kosova është shtet demokratik dhe pjesë e botës progresive që vazhdimisht është në kurs të zhvillimit. Vendi ynë është i të gjithëve pa përjashtim, ndërsa sot, si shoqëri ne krenohemi me të arriturat e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Uta Ibrahimit si dhe shumë heroinave të tjera, të cilat dëshmuan se janë autoret e historisë sonë duke e ngritur flamurin e Republikës së Kosovës në Paris, Moskë, Rio de Janeiro e deri në majën më të lartë në botë, Himalajet" ka shkruar Tahiri.

Ministri edhe njëherë ka theksuar përkushtimin e tij për krijimin e mekanizmave të duhur, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në drejtësi.

"Do të vazhdoj edhe më tej të punoj në krijimin e mekanizmave të duhur që të gjithë qytetarët të kenë qasje sa më të lehtë në drejtësi, produkt i së cilës është shoqëria bashkëkohore, në të cilën një rol të patjetërsueshëm e kanë gratë e këtij vendi dhe në të cilën, dinjiteti, respekti dhe të drejtat e tyre janë të pa alternativë" ka shkruar në Facebook ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat