Kurti: Kosovën ta vendosim në binarët e zhvillimit dhe të forcimit

Aktuale

Kurti: Kosovën ta vendosim në binarët e zhvillimit dhe të forcimit

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 14:57
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ka deklaruar se janë një opozitë aq e fuqishme, sa të mund ta vëmë në vështirësi cilëndo qeveri, në nivel qendror apo lokal, dhe do ta bëjnë këtë, sa herë që të jetë e nevojshme në të mirë të interesit publik në Kosovë, por do të jenë konstruktivë sa herë që pushteti të ndërmarrë hapa me interes për vendin e për popullin tonë.

Kurti e nisi fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve të brendshme të datës 21 janar, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në të shkuarën për çështjet dhe bindjet e përbashkëta, duke veçuar ish-kryetarin Visar Ymeri, i cili ka qenë një bashkëpunëtor i vlefshëm dhe një kontribues në rritjen dhe përparimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti: Do të ketë edhe ndryshime

“Ndryshimi i drejtimit në Lëvizje do të jetë, ashtu siç ka qenë edhe në të shkuarën, edhe respektim i vazhdimësisë, por edhe ndryshim për të ecur përpara, drejt sfidave të reja e drejt objektivave tonë madhorë. Pra, po, do të jetë vazhdimësi. Ne i kemi dokumentet bazë, që janë njëkohësisht zotimet tona, manifestin e VETËVENDOSJE!-s, programin 100 pikësh të Lëvizjes, Alternativën Qeverisëse, 40 masat për Republikën, politika të cilat vazhdojnë të përfaqësojnë perspektivën më të thelluar dhe më të mirë për të ardhmen e Kosovës... Por, po ashtu do të ketë edhe ndryshime, përmirësime, risi. Në zgjedhjet e brendshme, unë e bazova kandidimin tim tek paraqitja e një platforme për drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë katër viteve të ardhshme. Platforma është pikënisje dhe jo destinim. Atë duhet ta diskutojmë nëpër Qendrat tona për t’i përfshirë vërejtjet e sugjerimet tuaja nga përvoja që keni dhe nga leximet që bëni”, tha ai, duke shtuar se i kanë themelet e veta politike, të cilat i bashkojnë, sic janë përpjekja e pandërprerë për plotësimin e sovranitetit të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, si projekt vetëvendosës, zhvillimor e paqësor; rruga socialdemokratike për mbrojtjen dhe nxitjen e prodhimit vendor, zhvillimit ekonomik e punësimit, me drejtësi sociale dhe jo vetëm gjyqësore; si dhe për forcimin e shtetit në mënyrë demokratike e të drejtë, ndryshe nga ç'kanë bërë pushtetet e deritanishme që e kanë mbrojtur korrupsionin e vet me autoritarizëm e me brutalitet.

Kurti: Ta vendosim Kosovën në binarët e zhvillimit

“Muajt shkurt, mars dhe prill është mirë t’i shpallim muaj të anëtarësimeve të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe muaj të pagesës së anëtarësisë nga anëtarët e Lëvizjes. Prej marsit e deri në korrik të organizojmë zgjedhjet e strukturave të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qendrat ku ato nuk janë të kompletuara......Detyrë e jona, 19 vite pas çlirimit të Kosovës, është që ta vendosim Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të forcimit, e për këtë është e nevojshme të qeverisë VETËVENDOSJE!-a. Gjatë vitit 2017 ne i patëm disa fitore të shkëlqyera elektorale, u bëmë forca e parë në zgjedhjet qendrore”, tha ai

Ai ka përmendur edhe fitoren në dy qytetet më të mëdha, Prishtinën e Prizrenin, por po ashtu në Dardanë, si dhe arritjen në balotazh në Gjilan, Kaçanik e Besianë.

Sipas tij, hapi i radhës për ata është ardhja në qeverisje e Lëvizjes Vetëvendosje, gjë e cila tashmë është edhe domosdoshmëri, duke pasur parasysh zhgënjimin e madh dhe pesimizmin që e kanë shkaktuar dështimet e njëpasnjëshme të subjekteve të tjera, por gjithashtu edhe rritja dhe zgjerimi i organizatës, emancipimi dhe ngritja e aktivistëve, sidomos e të rinjve, lufta ndaj diskriminimit, forcimi i qendrave, rritja e bashkëpunimit me sindikata, shoqëri civile e medie, promovimi i figurave me aftësi profesionale e politike, të gjitha këto do të jenë prioritet për Lëvizjen.

Kurti: Këto do të jenë detyrat e grupit parlamentar

“Do të përparojmë edhe më tej në forcimin e marrëdhënieve tona me partnerë ndërkombëtarë, qofshin këta përfaqësues në Kosovë, apo subjekte të ngjashme në vende të tjera.....Intensifikimi i aktivitetit opozitar, ndalja e projektligjeve të dëmshme në parlament, por edhe iniciativat ligjore me rëndësi për qytetarët e për grupe të ndryshme të interesit, do të jenë detyrë mbi detyrat për grupin tonë parlamentar, dhe për organizatën në tërësi. Jemi një opozitë aq e fuqishme, sa të mund ta vëmë në vështirësi cilëndo qeveri, në nivel qendror apo lokal, dhe do ta bëjmë këtë, sa herë që të jetë e nevojshme në të mirë të interesit publik në Kosovë. Por do të jemi konstruktivë sa herë që pushteti të ndërmarrë hapa me interes për vendin e për popullin tonë”, tha Kurti.

Në fund Kurti pati një mesazh për të gjithë aktivistët, duke përfshirë edhe deputetët, e ka formën e një kërkese që duhet të jenë të palodhur që t'i përgjigjemi nevojave të qytetarit por edhe duhet të jenë të kujdesshëm, që të mos e zhgënjejnë asnjërin prej atyre që i ka votuar me plot shpresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat