Kurti për median zvicerane: Dhjetë vitet e ardhshme më të mira për Kosovën, ja pse nuk do ia harrojmë kurrë ndihmën shtetit helvet

Aktuale

Kurti për median zvicerane: Dhjetë vitet e ardhshme më të mira për Kosovën, ja pse nuk do ia harrojmë kurrë ndihmën shtetit helvet

Nga: Fitim Dika Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 19:01
Në ballinë të gazetës zvicerane “Schweiz am Wochenende”, sot (e shtunë) është publikuar intervista me liderin e Vetëvendosjes, me titull “Politikani rebel Albin Kurti”

Kosova ka korrupcion dhe papunësi të madhe. Lideri i partisë më të madhe, Kurti, kërkon ta ndryshojë këtë - duke shtuar më shumë teknologë të qumshtit dhe më pak diplomatë, përcjell botasot.info, lajmin e medias zvicerane që e paraqet Kurtin si Cédric Wermuth i Kosovës, ky i fundit është zv.presidenti i partisë socialdemokrate të Zvicrës.

Kurrë nuk do ia harrojmë Zvicrës

Edhe pse lideri i të majtës, Albin Kurti, e quan si të dështuar prezencën e Eulex-it dhe OKB-së, ai shton se “Kosova akoma ka nevojë për përkrahje ndërkombëtare. Por nuk na duhet askush për të na disiplinuar me ushtarë, policë dhe gjykatës.” Në pyetjen konkrete për trupat zvicerane Swisscoy, ai vijon: “Angazhimi i Zvicrës është tepër ndihmues. Në vitet 80-të, Zvicra ka strehuar disidentët, intelektualët dhe ish të burgosurit politik të Kosovës. Kjo i parapriu emigrimit të një pjese të madhe të forcës tonë punëtore te ju dhe ku kanë gjetur punë. Pas shpalljes së pavarësisë 2008, ishte ministrja juaj e jashtme, Micheline Calmy-Rey, ndër politikanët e parë të huaj, që na njohu neve si të pavarur. Këtë kurrë nuk do ia harrojmë Zvicrës.”

Kurti akoma mbështet referendumin për mundësinë e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por ai shton se me këtë nuk “do fillojnë luftën e tretë ballkanike.”

Reforma ndaj sistemit arsimor

Një ndër pikat kryesore të intervistës është edhe reforma në arsim. “Ne duhet të reformojmë sistemin arsimor dhe t’u japim të rinjve atë që kanë nevojë: një arsimim të kërkuar nga tregu, me të cilin ata më vonë vërtet mund të bëjnë diçka. Aktualisht për çdo vit qindra shqiptarë përfundojnë studimet në diplomaci. Por Kosova i ka vetëm 25 ambasada. Nga t’ia mbajnë gjithë këta kuazi-diplomatë të rinj?,” shton Kurti, i cili më pas merr një shembull konkret: “në Kosovë kemi një fabrikë për prodhimin e djathit. Para disa vitesh ishim të detyruar të sjellim këtu një teknolog kroat të qumështit për të marrë përsipër punët në fabrikën e djathit, sepse ne nuk kishim asnjë ekspert në këtë fushë. Ne kishim vetëm diplomatë të rinj. Ata në të vërtetë dinë si të hanë djathë, por jo edhe si bëhet djathi.”

Mbi numrin e madh të ministrave dhe zv.ministrave, Kurti shton se kjo është nepotizëm i pastër, për të plotësuar apetitet e anëtarëve të familjeve militantë partiak, ndërsa vrasja e politikanit serb Oliver Ivanovic është “punë e brendshme serbe.”

Në pyetjen e fundit sesi do duket Kosova pas dhjetë vitesh, më mirë ose më keq, Kurti është i sigurt se për vendin e tij do vijnë ditë më të mira, pasi “Kosova do udhëhiqet nga partia e tij. Gjithçka do duket ndryshe dhe do ndjehet ndryshe.”/Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat