Reagon PK: Deklarimet e Selimit të pavërteta dhe tendencioze

Aktuale

Reagon PK: Deklarimet e Selimit të pavërteta dhe tendencioze

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 15:05
Rexhep Selimi

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj një pjese të deklarimit të deputetit Rexhep Selimi, i cili e bëri sot në Kuvendin e Kosovës, i cili tha se drejtori i Policisë së Kosovës s’duhet t’i mbrojë vartësit që kryen veprat penale.

Përmes një reagimi për media, Policia e ka quajtur deklaratën e Selimit si të pavërtetë dhe tendencioze.

“Sa u përket dyshimeve dhe hipotezave të ngritura nga deputeti Selimi, se kinse drejtori i Policisë së Kosovës po i mbron vartësit që kanë kryer vepra penale, ju sigurojmë se këto deklarime janë të pavërteta dhe tendencioze, pasi që Policia e Kosovës në të gjitha rastet, duke përfshirë edhe rastet e apostrofuara nga deputeti në fjalë, ka marrë masat e duhura konform përgjegjësive ndaj punonjësve të përfshirë në raste penale, po ashtu edhe duke iu referuar rekomandimeve të dala nga mekanizmat ligjorë sipas mandatit ligjor për kryerjen e hetimeve të pavarura”, thuhet në reagimin e PK-së.

Në reagim thuhet se PK ndër vite  është vleësuar si institucioni më kredibil, jo vetëm në vend por edhe rajon dhe ky vlerësim është arritur falë punës së devotshme dhe profesionale të të gjithë zyrtarëve policorë nën udhëheqjen e menaxhmentit të PK-së.

“Është shumë e qartë se asnjë përgjigje e dhënë nga ne nuk do të kënaqë narracionin e krijuar nga z. Selimi i cili është tendencioz dhe politik, por besimi i qytetarëve të vendit ndaj Policisë është shumë më substancial dhe objektiv se sa deklarimet e z. Selimi”, theksohet në reagim.

Sidoqoftë, thotë Policia, veprimi individual i cilitdo zyrtar policor nuk mund të zbehë imazhin e organizatës policore.

“Ftojmë të gjithë ata që mund të kenë çfarëdo dyshimi të bazuar ndaj cilitdo zyrtar policor t’i adresojnë ato tek institucionet e pavarura kompetente”, theksohet në fund të reagimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat