Ministri Tahiri i përgjigjet Kurtit për rastin Dehari: Mos manipulo, kjo është e vërteta e ekspertizës

Aktuale

Ministri Tahiri i përgjigjet Kurtit për rastin Dehari: Mos manipulo, kjo është e vërteta e ekspertizës

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 18:06
Abelard Tahiri

Konferencës së sotme të Vetëvendosjes, të kryetarit Albin Kurti dhe deputetit Glauk Konjufca, i është përgjigjur Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Përmes një statusi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se zgjidhja e çështjes së vdekjes së Astrit Deharit, ka mbetur prioritet për të.

“Që në fillim të mandatit jam përkushtuar për të bërë të mundur një superekspertizë ndërkombëtare për rastin Dehari, madje me kërkesë të prindërve, kemi tejkaluar edhe rekomandimet e Kuvendit duke bërë të mundur që kjo ekspertizë të kryhet në një institut në Zvicër, konform kërkesës së tyre” ka shkruar Tahiri.

Më tej, ai ka akuzuar liderin e VV-së, Albin Kurti, se po manipulon me këtë rast, duke u vënë gjërave konkrete mjegull ideologjike.

“Albin Kurti vazhdon të manipulojë me një diskurs që në njërën anë privatizon individin, ndërsa në anën tjetër është përjashtues ndaj shoqërisë dhe institucioneve shtetërore. Këtë praktikë e zbatoi edhe sot gjatë një konference për medie. Ndjej vërtetë keqardhje për mënyrën se si ende manipulohet me rastin e të ndjerit Dehari dhe mbi mënyrën se si Albin Kurti përpiqet t’u vë gjërave konkrete, mjegullën e tij ideologjike. Dua t’i kujtoj Albinit, se Astrit Dehari, para se të ishte anëtar i Vetëvendosjes, ishte qytetar i Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët e saj pa dallim përkatësie politike, shumëfish dhe në mënyrë absolute në raport me pretendimet e përgjegjësisë që mund t’i kërkojë një grup politik, kushdo qoftë ai”, ka shkruar Tahiri.

Ministri i Drejtësisë, ka bërë të ditur se Prokurori i rastit, përmes Ambasadës së Zvicrës ka vënë kontakte dhe është në komunikim e sipër me institutin zviceran, me qëllim të qartësimit të plotë të këtij rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat