Hoxha: Qytetarët e Kosovës presin nga BE sinjale të qarta drejt integrimit

Aktuale

Hoxha: Qytetarët e Kosovës presin nga BE sinjale të qarta drejt integrimit

Më: 30 janar 2018 Në ora: 11:31
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Vjenë, në konferencën ndërkombëtare dyditore, dedikuar Strategjisë për të ardhmen e Evropës që organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Austrisë, me moton “Go West – Western Balkan”, ka theksuar se Procesi i Integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës si dhe vazhdimi i konsolidimit demokratik, përmirësimi i sundimit të ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe krijimi i një ekonomie funksionale të tregut, ka bërë të ditur Ministria e Integrimeve Evropiane përmes një komunikate për media.

“Besoj që institucionet e BE-së, do të vazhdojnë të bëjnë për perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, perspektivë dinamike, konkrete dhe e arritshme”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se për Kosovën, rruga është e qartë, anëtarësimi në BE me besimin se Bashkimi Evropian duhet të përqendrojë politikën e jashtme në procesin e zgjerimit.

“Politika e zgjerimit të BE-së, duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme. Ne presim që institucionet e BE-së do të sigurojnë një rrugë të qartë të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në perspektivën e BE. Konsideroj se në këtë fazë, uniteti duket më i rëndësishëm se kurrë”, ka theksuar Ministrja Hoxha.

Në këtë proces ka shumë sfida dhe mundësi, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se institucionet e Kosovës dhe të BE-së duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të përdorur mundësitë duke ri-theksuar perspektivën e Kosovës në BE, si e vetmja rrugë përpara për Kosovën.

“Më lejoni të theksoj angazhimin e Qeverisë së Kosovës në të gjitha proceset që lidhen me agjendën evropiane, duke përfshirë dinamizmin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe lehtësimin e udhëtimit të lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi ndër te tjera ministrja Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat