Rakoçeviq: Si e mashtroi Ivanoviqi gjeneralin francez dhe e ndau Mitrovicën

Aktuale

Rakoçeviq: Si e mashtroi Ivanoviqi gjeneralin francez dhe e ndau Mitrovicën

Më: 21 janar 2018 Në ora: 16:06
Foto e realizuar nga helikopteri i forcave të NATO-s në Kosovë mbi lumin Ibër në qershor 99.

Gazetari serb nga Kosova, Zhivojin Rakoçeviq përmes një teksti të botuar në të përditshmen e Beogradit, “Politika”, ka rikujtuar momentin kur Oliver Ivanoviqi, i vrarë ditë më parë në veri të Mitrovicës, siç është shprehur ai, e shpëtoi pjesën veriore të Mitrovicës nga sulmet e shqiptarëve në qershor të vitit 1999.

Në këtë tekst ai thotë se lideri i vrarë i Iniciativës Qytetare SDP “e mashtroi gjeneralin francez të KFOR-it”.

“Ne nuk mund të ndalim shqiptarët, do të kalojnë në pjesën veriore të qytetit. Situata është e pashpresë, është dashur të mendoni për pozitën tuaj dhe pasojat nëse mbeteni” citon Rakoçeviqi fjalët e gjeneralit drejtuar Ivanoviqit.

Rakoçeviq më tutje kujton sesi “Ivanoviqi i vendosur dhe vetëbesues e bindi gjeneralin”.

“Në rregull, ne nuk do të tërhiqemi, pas shpinës sonë nëpër kodrina kemi aq armatim dhe do të bëjmë aq rezistencë sa të gjithë do të mbarojmë. Edhe ju, edhe ne, edhe shqiptarët. Nuk do të mbetet gjë mbi dhe nga minahedhësit tanë” i tha Ivanoviq gjeneralit, pohon në shkrimin e tij Rakoçeviqi, transmeton Koha.net.

Po sipas tij, aso kohe në Mitrovicë nuk kishte më shumë se 150 veta të gatshëm për ndonjë lloj rezistence, ndërsa minahedhësit bashkë me Ushtrinë e Jugosllavisë ishin tërhequr në brendi të Serbisë.

“Brenda gjysmë ore tanket franceze dolën në urë dhe morën pozita vendimtare në lumin e Ibrit, i cili nga ai moment ndau qytetin dhe ruaji serbët në atë pjesë, ka dëshmuar përkthyesi që shoqëronte oficerin francez. Oliver Ivanoviqi e mashtroi gjeneralin francez dhe kështu filloi shpëtimi i Mitrovicës”, siç shprehet Rakoçeviq në shkrimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat