Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka aprovuar sot kërkesën që 10 auditorë të hetojnë raportet financiare të fushatës për partitë politike.
Kërkesa do t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit e cila do ta autorizojë administratën e këtij institucioni që të iniciojë procedurat për përzgjedhjen e 10 auditorëve ligjor për auditimin e raporteve financiare të fushatës për partitë politike për vitin që shkoi.
Kërkesa e hedhur në votim nga kryetari i Komisionit Driton Selmanaj ka marr aprovimin e anëtarëve të Komisionit, i cili këtë kërkesë ia ka proceduar Kryesisë së Kuvendit. Selmanaj duke arsyetuar këtë kërkoi edhe votën e kolegëve të tij në mënyrë që të dihen financat e secilit subjekt politik.
Selmanaj: Mos të mbesim pa auditimin e financave politike
“Inicimin e procedurave që kërkojnë prej Administratës së Kuvendit që të fillojë shpalljen e tenderit apo siç shkojnë procedurat e prokurimit atje. Që më pas të mos mbesim peng i situatave të ndryshme që me mbet pa u auditu financat. A po pajtohemi që ne sot ta aprovojmë kërkesën në mënyrë që Kryesia me autorizua administratën që të ecin me procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e audititorit”, tha Selmanaj.
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike ka shqyrtuar raportin financiar për vitin 2016 të kompanisë për menaxhimin e Deponive të Kosovës si dhe për kompaninë “Pastërtia” nga Ferizaj.
Këtë raport para deputetëve e ka paraqitur Vlora Mehmeti nga Auditori i Përgjithshëm sipas së cilës nga auditimi është paraqitur gjendja reale në kompaninë për menaxhimin e Deponive të Kosovës, por tha se ka pasur gabime. Ajo deklaroi se kjo kompani nuk ka arritur te përmbushë rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm.
Mehmeti ka paraqitur edhe raportin financiar të kompanisë së mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, e cila siç tha ajo ka operuar me humbje.
Këto raporte anëtarët e komisionit kanë vendosur që mos t’i dërgojnë në seancë para se të nxirren disa rekomandime.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe pika tjera që ndërlidhen me punën e këtij Komisioni.