Kërkesa e deputetëve për shfuqizimin e Speciales s’vlen më, nënshkrimeve u skadon afati

Aktuale

Kërkesa e deputetëve për shfuqizimin e Speciales s’vlen më, nënshkrimeve u skadon afati

Më: 18 janar 2018 Në ora: 16:37
Selia e Gjykatës Speciale

Kanë kaluar më shumë se tri javë që kur 41 deputetë dhanë nënshkrimet e tyre në përpjekje për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Drama për këtë gjykatë dukej se do të vazhdojë, por... afati i kësaj nisme ka skaduar. Rregulloja e Kuvendi përcakton se një mocion përmbajtjesor duhet të futet në rend të ditës të mbledhjes plenare brenda tri javësh pune, nga dita kur është dorëzuar në Kryesi të Kuvendit. Përndryshe, për t'u vazhduar iniciativa, nënshkrimet duhet të mblidhen edhe një herë.

Liderët e Kosovës ende nuk janë zmbrapsur nga iniciativa për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ambasadorëve të huaj. Kjo nismë u tentua edhe të mërkurën të futej në rend dite, ndonëse mbledhja e Kryesisë dështoi për mungesë të kuorumit. Skenari i 22 dhjetorit do të provohet të ndodh prapë, por të gjitha nënshkrimet që janë mbledhur për këtë qëllim nuk vlejnë më. Të njëjtat duhet mbledhur edhe njëherë.

Këtë e ka sqaruar, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit. Ai e shpjegon procedurën e nismave dhe afatin që të njëjtat e kanë sipas rregullores.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshëm përmes të paktën 40 nënshkrimeve të deputetëve duhet të realizohet nga Kryesia e Kuvendit, respektivisht nga Kryetari i Kuvendit në kohën dhe datën e kërkuar nga deputetët.

Këto lloje të mbledhjeve zakonisht thirren për të shqyrtuar një çështje të ngutshme e cila kërkon trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi. Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk precizon ndonjë afat për vlefshmërinë e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme”, është shprehur ai.

Mirëpo, të çështja e nënshkrimeve për Specialen, Krasniqi thekson se ky lloj i kërkesës mund të kategorizohet si mocion përmbajtjesor i deputetëve, i cili sipas rregullave të Kuvendit duhet të futet në rend të ditës të mbledhjes plenare brenda tri javësh pune, nga dita kur është dorëzuar në Kryesi të Kuvendit.

“Duke u bazuar në këto dispozita, mund të themi se kërkesa e deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar tashmë nuk është e vlefshme. Prandaj nëse kjo iniciativë për mbajtje të seancës së jashtëzakonshëm synon të jetësohet nënshkrimet duhet të mblidhen serish nga fillimi”, ka qartësuar hulumtuesi i lartë në KDI.

Nëse Kryesia e Kuvendit tenton që të fus në rend dite nismën e 41 deputetëve, atëherë shkelet edhe rregullorja e Kuvendit.

Vetëm kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, është tërhequr nga shfuqizimi i Speciales, ndonëse qëndrim të prerë për këtë ka Presidenti Thaçi. Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj, e ka hequr barrën nga vetja duke thënë se një vendim i tillë u takon deputetëve të vendosin. Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, sot ka paralajmëruar pasoja specifike për ata që tentojnë ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat