Sot në ora 24:00 përfundon afati zyrtar për të paraqitur kandidaturë për kryetar të Lëivzjes Vetëvendosje.
Deri tani, i vetmi kandidat zyrtar për kryetar të VV-së është Albin Kurti, kandidatura e të cilit u paraqit derisa ai mbahej në paraburgim për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës paraprake.
Pas përfundimit të afatit për kandidatura, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Vetëvendosjes cakton ditën e zgjedhjeve të brendshme. Me gjasë, e diela e ardhshme mund të caktohet si datë zgjedhjesh.
Përderisa kanë mbetur edhe pak orë për të paraqitur kandidaturën, në VV nuk shenja se ndonjëri prej anëtarëve të saj është i interesuar që të kandidojë. Ndërkohë, në anën tjetër vazhdojnë dorëheqjet e një grupi të partisë si pasojë e pakënaqësive me zhvillimet në parti.
Problemet në Vetëvendosje u kuptuan për publikun kur u publikua një fotografi e bisedës së anëtarëve të Kryesisë së VV-së në Viber, ku dëshmohet se si Aida Dërguti e ofendon Albin Kurtin.
Përderisa lidershipi i VV-së nuk po mund të gjej pajtim për të tejkaluar mosmarrëveshjet, disa herë është bërë thirrje që të dorëhequrit të kthehen në pozitat që mbanin. Madje, dorëheqjet e tyre, përfshirë edhe atë të kryetarit të VV-së, Visar Ymeri, nuk janë pranuar nga Kryesia e partisë.
Në media e rrjete sociale është folur edhe për një kusht të cilin grupi i Ymerit ia ka vënë Kurtit për të mos kandiduar për kryetar të VV-së, por kjo gjë nuk është pohuar e as mohuar nga vetë Ymeri ose ndonjëri prej të pakënaqurve.