Edhe dy ditë kohë, Albin Kurti i vetmi kandidat për kryetar të Vetëvendosjes

Aktuale

Edhe dy ditë kohë, Albin Kurti i vetmi kandidat për kryetar të Vetëvendosjes

Më: 8 janar 2018 Në ora: 21:52
Albin Kurti

Në mes të përçarjeve dhe shumë dorëheqjeve në Lëivzjen Vetëvendosje, pritet që ky subjekt politik tu nënshtrohet zgjedhjeve.

Pa kryetarin dhe pa nënkryetarin, Vetëvendosja gjatë ditëve në vazhdim do të hyjë në një proces të brendshëm zgjedhor.

Me dorëheqjen e Faton Topallit sot, numri i largimeve nga pozitat e larta në këtë parti vetëm u rrit.

Dorëheqja e tij erdhi pas Visar Ymerit, Dardan Sejdiut, Shqipe Pantinës e Zgjim Hysenit.

Kandidati i vetëm zyrtar deri më sot për kryetar të VV-së është lideri shpirtëror i kësaj partie, Albin Kurti.

Kandidatura e tij ishte kundërshtuar nga Dardan Molliqaj, e çka thuhet se mund të jetë gjithë thelbi i përçarjes.

Por kur kanë mbetur edhe më pak se dy ditë afat për të kandiduar, në Vetëvendosje askush nuk po marrë guximin t’i dalë përballë “babës”, siç është shkruar në disa parulla në kryeqytet.

Madje “baba” Kurtin e quajnë një pjesë e madhe e aktivistëve në VV. Të paktën kështu kishte thënë Dardan Molliqaj.

Albin Kurti deri më tani është kandidati i vetëm zyrtar.

Kandidaturat pranohen vetëm deri më 10 janar. Të paktën kështu kishte bërë të ditur vetë Lëivjza Vetëvendosje në një postim në facebook ditë më parë.

“Nga sot, deputeti Albin Kurti është zyrtarisht kandidat për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar – një votë. Kujtojmë se afati kohor për të dorëzuar kandidatura të tjera për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbaron në datën 10 janar 2018”, thuhej në njoftimin  e VV-së.

Veç këtyre përplasjeve, nga fotografi të publikuara në portale tash e sa kohë është lënë e hapur mundësia që të ketë dorëheqje të reja.

Në disa fotografi është parë edhe deputeti Driton Çaushi, dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Në gjithë këtë rrëmujë, nuk është përjashtuar mundësia e krijimit të një partie të re. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat