Kur Faton Ramadani kërkonte llogari nga SHIK-u për vrasjen e familjes Hajra

Aktuale

Kur Faton Ramadani kërkonte llogari nga SHIK-u për vrasjen e familjes Hajra

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 dhjetor 2017 Në ora: 14:54
Protesta për Burim e Arsim Ramadanin

Viti 2018 po e gjen Kosovën me raporte të acaruara me miqtë e saj ndërkombëtarë. Edhe një muaj Kosova do t`i mbush 10 vite të shtetësisë së saj. Askush nuk do ta kishte menduar se pikërisht viti i dhjetë i pavarësisë do ta gjej Kosovën në këtë situatë.

Lidhja e koalicionit PDK-AAK po del se nuk ishte e rastësishme. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se Presidenca drejtohet nga ish Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, gjithçka bëhet edhe më e qartë.

Gjithë katrahura mbanë emrin “Gjykatë Speciale”. Liderët nuk mund ta fshehin më panikun dhe frikën që e ndjejnë.

Madje, edhe veprimet e tyre të fundit ndërlidhen me Gjykatën Speciale.

Për vite me radhë familja Ramadani, kishte kërkuar drejtësi për familjarët e saj, Arsim e Burim Ramadanit të dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e familjes Hajra.

Në prag të fillimit të ngritjes së aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka vendosur t`ua falë dënimin vëllezërve Ramadani dhe Arben Kiçinës.

Gjatë një interviste të dhënë kohë më parë për gazetën “Bota sot”, Faton Ramadani, vëllai i të dënuarve për rastin Hajra, kishte kërkuar që të publikohet raporti i SHIK-ut për rastin Hajra, në mënyrë që të analizohen faktet dhe të zbardhet e vërteta për pafajësinë e Burimit dhe Arsimit.

“Unë kam hulumtuar rreth atij raporti dhe kam zbuluar se emri Vehbi Muja është i rremë se ishte Ymer Xhemajli, Ymeri ishte në shërbimin e TMK-së G2, ku edhe ky shërbim ka punuar për SHIK-un. Ne jemi interesuar me ditë se në atë deklaratë Hamëz Hajra a dinte për zhdukjen e humanistit Dr. Hafir Shales dhe mos ishte ajo deklaratë dhe dëshmia e tij dhënë për Hagen që u vra Familja Hajra”, kishte deklaruar Faton Ramadani për gazetën “Bota sot”.

Përmendja e emrit të ish Drejtorit të SHIK-ut Fadil Demaku, si i përfshirë në rast, ka shtyrë Ramadanin që të kërkonte nga Demaku, raportet e SHIK-ut për rastin e dy vëllezërve të tij.

“Pasi përfshihet në atë emri i drejtorit të SHIK-ut Fadil Demaku, unë nga ai kam kërkuar që të mi japin raportet e SHIK-ut për padrejtësinë tonë, ai me tha se për gjithçka kërko nga Kadri Veseli, se ai është përgjegjës për të gjitha të ShIK-ut”, ishte shprehur ai.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës para dy ditësh, me dekret fali të dënuarit për vrasjen e familjes Hajra.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra  në vitin 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat