Mediat serbe: Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi s'pritet të ndodhë gjatë janarit

Aktuale

Mediat serbe: Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi s'pritet të ndodhë gjatë janarit

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 22:57
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandër Vuçiq

Mediat serbe shkruajnë se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë nuk është në horizont as gjatë janarit, edhe pse nga kabineti i Federica Mogherinit po bëhen përpjekje që datën për raundin e ri ta caktojnë deri në fund të muajit të parë të vitit që po vjen.

Sipas gazetës serbe "Novosti", pengesa kryesore që të vazhdojnë bisedimet, është insistimi i Kosovës që në to të përfshihet edhe SHBA-ja, për ç’gjë nuk ka pajtim në Bruksel.

Nëse do të ketë përpjekje që formati i dialogut të shkojë në këtë drejtim, nga Beogradi tashmë është paralajmëruar se do të kërkohet pjesëmarrja e përfaqësuesit të Rusisë, e për këtë sinjalin e gjelbër e ka dhënë në javën e shkuar presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

I pari i Serbisë, siç citohet, ka thënë se “vazhdimi i dialogut i lidhur me pjesëmarrësit, do të jetë ashtu siç thotë Serbia, sepse ajo ofron kompromis“.

Në Bruksel është thënë shkurtimisht se “puna në fazën e re të dialogut për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës po vazhdon".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat