Mustafa: Demarkacioni lojë e Haradinajt; Kjo qeveri do të bie; Nisma për shfuqizim të Speciales, e gabuar

Aktuale

Mustafa: Demarkacioni lojë e Haradinajt; Kjo qeveri do të bie; Nisma për shfuqizim të Speciales, e gabuar

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 20:37
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një interviste në televizionin publik, ka kritikuar ashpër kryeministrin Ramush Haradinaj, rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ai tha se qeverisja Haradinaj nuk do ta zgjidhë çështjen e demarkacionit dhe liberalizimin e vizave, derisa theksoi se viti i ardhshëm do të jetë vit i zgjedhjeve, meqenëse, siç tha ai, kjo qeveri do të bie.

“Është sjellje joserioze e kryeministrit Ramush Haradinaj. Është një lojë shumë joserioze e kryeministrit Haradinaj. Është joserioze ta votojë në Qeveri dhe të thotë se tash i mbetet Kuvendit që ta rrëzoj. Ligjet dërgohen në Kuvend për t’u miratuar dhe jo për t’u rrëzuar. Prandaj është sjellje joserioze e një kryeministri. Nuk është kufiri aty ku thotë kryeministri dhe kjo është një tentativë jo serioze”, tha Mustafa.

Askush deri më tani, shtoi Mustafa, as Komisioni i Shpejtim Bulliqit, dhe as Komisioni paraprak, nuk ka arritur të dëshmojë se një metër katror ka humbur Kosova.

Qeverisja e Haradinaj, sipas tij, po i numëron muajt e qeverisjes, pasi siç tha ai, kjo qeveri do të bie vet, nëse jo, atëherë, shtoi Mustafa, LDK sigurisht se do të ngritë mocionin për rrëzimin e saj.

Kryetari i LDK-së, ka thënë se në 100 ditëshin e kësaj qeverie, propaganda është e vetmi sukses.

Mustafa e ka krahasuar qeverinë e Ramush Haradinajt me Vetëvendosjen.

“Kemi folur shumë për Vetëvendosjen edhe kemi thënë se ata e kanë arrit kulminacionin e propagandës edhe kurrkush me këta s’mund të garojë me propagandë. Unë mendoj se edhe Qeveria e Haradinajt në qoftë se në diçka e ka mbërri, suksesin më të madh e ka mbërri në propagandë”, tha ai.

Tha se opinioni po manipulohet me informata të parëndësishme.

“Kur po çohet kryeministri, kur po ja nis punës, kur po ha, kur po ecë këmbë e kur po ecë me makinë. Do të thotë, janë çështje të cilat unë mendoj se asnjëri prej nesh nuk kemi nevojë të merremi me to e s’kemi nevojë as t’i promovojmë”, tha Mustafa.

Ai e ka cilësuar të gabuar vendimin e qeverisë së Haradinajt për faljen e borxheve për shfrytëzuesit e ujit për qëllime biznesi, duke thënë se falja e borxheve të ujit nga Qeveria është joligjore.

“Dëshiroj që ta kemi një qeveri që zbaton dhe respekton ligjin”, tha Mustafa.

“Kemi disa vendime të kësaj qeverie, që janë vendime joligjore... si vendimi për falje të borxheve të ambalazhuesve të ujit”, ka deklaruar paraardhësi i Haradinajt.

“S’ka të drejtë Qeveria me asnjë ligj që vetë t’i çojë gishtat dhe të thotë se i fala 60 milionë euro borxhe të ambalazhuesve të ujit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka cilësuar joligjor edhe “vendimin për shkarkimin e bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit”.

Mustafa: Nisma për shfuqizim të Speciales, e gabuar

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë në televizionin publik, foli edhe për zgjedhjet në Kosovë, kohën kur ka qeverisur me vendin, nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por edhe sulmet ndaj tij nga Vetëvendosja.

Mustafa i ka quajtur të pamatura dhe jo të mençura përpjekjet e deputetëve të caktuar të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Ishin veprime të pamatura mirë, jo të mençura. Nuk duhet të hyjmë në veprime të tilla”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se duhet të punohet “që drejtësia të zbardhet”, dhe se “njerëzit duhet të përgjigjen nëse kanë bërë veprime”.

“Nuk do të doja që akuzat e bëra ndaj njerëzve tanë të dalin të vërteta”, është shprehur Mustafa.

“Ka edhe akuza absurde, që kemi dëgjuar”, ka shtuar ai.

Mustafa ka thënë se drejtësia ndërkombëtare është e pashmangshme. “Kësaj nuk mund t’i iket”, është shprehur ish-kryeministri i vendit.

Ai tha se nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte zhvillim i paparashikuar dhe se LDK ka dhënë qëndrimin e vet.

“Asnjëherë nuk na është thënë se ka iniciativa për shfuqizim të ligjit. Kjo iniciativë ishte e vonshme, pasi tashmë janë caktuar prokurorët, janë ndarë mjetet dhe është caktuar selia. Ishte veprim i nxituar dhe i pavend”, ka thënë ai.

Ai tha se nuk është dorëzuar para vandalistëve, të cilët e sulmuan edhe në shtëpinë e tij, duke aluduar këtu në Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa tregoi se në kohën kur ishte i pari i ekzekutivit u sulmua dhunshëm.

“Dy vite e gjysmë kishim sulme shumë të dhunshme që s’i ka përjetuar Kosova asnjëherë brenda sallës së Parlamentit, edhe jashtë, edhe në shtëpi private, edhe në familje,....i bënin këta që sot janë në qeveri dhe opozitë”, kujtoi Mustafa.

Ish-kryeministrit Isa Mustafa nuk i vjen keq që nuk e ka përfunduar mandatin e plotë në krye të Qeverisë. Thotë se shumë më mirë po ndihet në pozitën aktuale, si kryetar i LDK-së.

“Përndryshe nuk ankohem fare që s’jam kryeministër sepse po e ndiej veten shumë më mirë kështu”, tha Mustafa për televizionin publik.

Në muajin maj të këtij viti qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi. Qeveria e tij u rrëzua me 78 vota. 34 deputetë votuan kundër ndërsa 3 të tjerë abstenuan.

Ai tha se LDK në zgjedhjet e fundit lokale ka dalë partia e parë, duke i kaluar të gjitha partitë politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat