Veseli: FSK-ja e gatshme të transformohet në ushtri

Aktuale

Veseli: FSK-ja e gatshme të transformohet në ushtri

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 14:30
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një vizitë në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë të cilës, është pritur në takim nga ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Kryeparlamentari Veseli dhe ministri Berisha diskutuan për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve që FSK-ja ka shënuar gjatë këtyre viteve, njofton Zyra e Kryeparlamentarit.

Veseli ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni me reputacionin më të lartë në Republikën e Kosovës, falë vetë pjesëtarëve të saj. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të kësaj force, ndërsa konfirmoi gatishmërinë e Kuvendit për të marrë çdo vendim në interes të sovranitetit dhe të fuqizimit të shtetit të Kosovës.

Veseli pohoi më tej se vendimi për transformim të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës do të merret në koordinim me vendet partnere të NATO-së, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pjesëtarët e FSK-së janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ketë ë dëshmon më së miri suksesi i tyre në garat ndërkombëtare. FSK-ja është partner i sigurt i NATO-s dhe e ardhmja e saj do të jetë në NATO”, la theksuar Veseli.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, nga ana e tij, vizitën e kryetarit të Kuvendit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë e konsideroi nder dhe respekt që i bëhet këtij institucioni, ndërsa e informoi atë për të arriturat e saj dhe procesin e transformimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat